Gazetari Vehbi Kajtazi ka ndarë me përcjellësit një parashikim që kishte bërë në vitin 2020 për Vetëvendosjen dhe partitë e tjera.
Kajtazi, atëbotë në Debat Plus në RTV Dukagjini kishte parashikuar se “dekada e Albin Kurtit po vjen”, duke shtuar se “ai do ta ketë mbështetjen më të madhe popullore për të paktën 8 vjetët e ardhshme”.
“Dekada e Albin Kurtit po vjen. Albin Kurtin do ta kemi njeriun ma të fuqishëm me mbështetjen ma të madhe popullore për të paktën 8 vjetët e ardhshme, sepse zakonisht ndodhë që dy mandate janë që një lider apo një subjekt politik i konsumon pushteti dhe u jep mundësi subjekteve tjera politike të reformohen, të këndellen nga të qëndruarit gjatë në opozitë për të arritë me u kthy para votuesve me oferta konkrete, duke i përdorur gjithmonë gabimet e pushtetit”, kishte thënë Kajtazi në Dukagjini.
Këto komente gazetari i kishte bërë pas zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të komunës së Podujevës më 2020, kur Shpejtim Bulliqi i VV-së kishte fituar pa balotazh.
Kajtazi kishte shtuar se “ky rezultat do t’i bëjë bashkë partitë e tjera sepse ashtu-kështu do të pësojnë humbje të thellë”.