Në 80-vjetorin e lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, Agim Veliu ka nderuar figurën e tij historike, duke e quajtur “atin themeltar të shtetit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.” Veliu theksoi se rëndësia e Rugovës shkon përtej një individi, duke e krahasuar atë me një epokë të tërë të historisë shqiptare.
“Në përshkrimin e Rugovës, do të përdor fjalët e Viktor Hygo për Volterin: ‘Ai ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë.’ Çfarëdo që të thuhet për të është e pamjaftueshme. Jam krenar që isha pjesë e kësaj epoke historike,” tha Veliu.
Ibrahim Rugova, lideri i parë i LDK-së dhe Presidenti historik i Kosovës, mbetet simbol i rezistencës paqësore dhe vizionit për shtetndërtim. Përvjetori i tij është një moment reflektimi për trashëgiminë që ai la pas dhe për rrugën që ndërtoi drejt pavarësisë së Kosovës.
Postimi i plote
Në 80 vjetorin e lindjes, kujtojmë prijësin tonë të madh dhe atin themeltar të shtetit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovën.
Çfarëdo që të thuhet për Rugovën është e paktë dhe mund t’i hyjmë në hak. Prandaj për ta përshkruar figurën e prijësit historik të shqiptarëve, po e përdor një thënie të shkrimtarit francez Viktor Hygo, për mendimtarin e madh Volterin: “Ai ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë”.
Krenar që isha pjesë e epokës së Ibrahim Rugovës.