Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për unifikimin e çmimeve të barnave, i cili hyri në fuqi më 1 shkurt, ka shkaktuar reagime të shumta në mesin e farmacistëve. Ata ankohen për mungesë të disa barnave, kontradikta ligjore dhe probleme në zbatimin e vendimit.
Nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovë (OFK) Astrit Haxhijaha, ka thënë për Indeksonlinen, se ky vendim në mënyrën se si është marrë, ka sjell një tronditje të jashtëzakonshme në tregun farmaceutik. Haxhijaha thotë se vendimi ka qenë i ngushtëm dhe se Ministria e Shëndetësisë (MSH) nuk ka shprehur gatishmëri për t’u koordinuar me komunitetin farmaceutik, barnatorët e farmacistët.
Ndërsa thotë se vazhdimisht ka ankesa nga barnatorët, për mungesë të barnave dhe mosfurnizim nga depot farmaceutike. Sipas tij ka mungesë të rreth 1700 llojeve të barnave.
Vazhdimisht kemi ankesa prej farmacistëve, barnatorëve për mungesë të barnave dhe mosfurnizim nga depot farmaceutike për shkak të vendimit të MSH-së. Ky vendim ka sjell një tronditje të jashtëzakonshme, të rëndë në tregun farmaceutik. Mirëpo ne konsiderojmë që ky është vetëm fillimi, sepse në vazhdimësi do të kemi mungesë ose pritet të kemi mungesë të diku rreth 1700 llojshmëri tjera të barnave. E gjithë kjo për shkak të një formati të gabuar të ngutshëm nga MSH-ja, duke mos u koordinuar asnjëherë me akterët kryesor të zbatueshmrisë së këtij vendimi, si komuniteti farmaceutik, barnatorët ose farmacistët në këtë rast. Ne jemi munduar që të kordinohemi së bashku me MSH-në, mirëpo asnjëherë nuk kanë shprehur gatishmërinë as të na dëgjojë as së paku ta kemi një takim të vetëm”, tha ai.
Por thotë se gjendja me furnizim me barna do të përkeqësohet dhe më tej dhe se pacientët do të detyrohen, të dalin jashtë shtetit, për të siguruar barnat që u nevojiten.
“Ky alarmim i cili është për momentin, do të dhjetëfishohet dhe do të kemi në vazhdimësi mungesë të barnave dhe pacientët do të obligohen që të udhëtojnë jashtë shtetit, për t’i siguruar barnat”, thotë Haxhijaha.
E problemi sipas tij është tek paragrafi 6 i këtij vendimi i cili obligon qarkulluesit me pakicë ose barnatorët që çmimet në banderola t’i vendosin në të gjithë gjendjen e stokut në barnatore.
E që i bie banderolat apo çmimet në banderola i shtyp Agjencioni për Produke dhe Pajisje Medicinale. Kurse vendosjen e tyre e bëjnë importuesit apo depot farmaceutike. Nuk është kompetente barnatora apo farmacisti t’i vendosë ato. Sepse çdo banderol e ka kodin e vet, që nënkupton një gabim po të bëhet atëherë është inspektorati farmaceutik që mund të marrë masa ndaj veprimtarisë dhe t’i gjobisë për shkak të gabimeve”, tha ai.