Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, sot morën pjesë në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime.
“Me një vlerë të gjithmbarshme të investimit prej 2.4 milionë euro, objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, do të ketë një hapësirë prej 3 mijë katrorë, brenda së cilës do të përfshihen laboratori, radiologjia, urgjenca, stomatologjia si dhe hapësirat për trajtim mjekësor, vaksinimin, imunizim dhe hapësira për administratë. Ndërtimi i objektit te ri pritet të realizohet brenda një periudhe prej 30 muajsh. Ky investim përveç rritjes për shërbime për qytetarët do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë edhe efikasitetit, meqenëse kushtet do të jenë moderne”, thuhet në njoftimin nga ZKM.
Kurti falënderoi mjekët, infermierët dhe punëtorët shëndetësorë, për kontributin dhe për të gjitha sukseset e arritura jo vetëm në mjekësinë e shëndetësinë ne Komunën e Shtimes, por në gjithë vendin.
Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, tha se Komuna e Shtimes po ndryshon për së mbari, teksa u shpreh i lumtur që sot ndodhen aty së bashku me kryeministrin e ministrin si dhe stafin shëndetësor në vendosjen e gurthemelit. Ai shtoi se siç janë zotuar, Komuna e Shtimes se shpejti do te ketë mjekësinë primare model për gjithë Kosovën, me një infrastrukturë moderne, por edhe me pajisje të reja.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se si Ministri e Shëndetësisë, përveçse në infrastrukturën spitalore, po vazhdojnë me investime të shumta në nivelin primar, sepse niveli primar është niveli ku shumica e qytetarëve kërkojnë shërbime shëndetësore./Arbresh.info