Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri tani ka pranuar vetëm një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore. Subjekti politik “Iniciativa Qytetare Mitrovica” ka kërkuar të certifikohet për të garuar më 18 dhjetor në veri të Mitrovicës.
KQZ ka njoftuar se afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje do të përfundojë të hënën më 21 nëntor.
“KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Kjo kërkesë është paraqitur në emër të subjektit politik Iniciativa Qytetare Mitrovica. Pra, ky subjekt politik ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje vetëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje ka filluar më 15 nëntor dhe do të përfundojë më 21 nëntor 2022”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Partitë politike serbe në Kosovë kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit, shpallja e së cilave u bë pasi kryetarët e katër komunave veriore dhanë dorëheqjet e tyre.
Zgjedhjet në veri pritet të mbahen në një situatë jo të zakonshme pasi zyrtarët serbë në atë pjesë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kanë braktisur institucionet e Kosovës duke deklaruar se e kundërshtojnë vendimin e qeverisë për targat.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi thotë për KosovaPress se duhet pasur parasysh që duhet të funksionalizohen edhe kuvendet komunale, një proces që sipas tij duhet të realizohet përgjatë procesit të zgjedhjeve për kryetar te komunave.
“Pas dorëheqjeve të tyre presidentja ka përmbushur kompetencat kushtetuese duke shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave por duhet pasur parasysh që duhet të funksionalizohen edhe kuvendet komunale në këto komuna por që është një proces që mendoj që duhet të përmbushet dhe realizohet përgjatë procesit të zgjedhjeve për kryetar të komunave. Natyrisht KQZ tani i ka të gjitha autorizimet kushtetuese dhe ligjore për të organizuar dhe administruar zgjedhjet atje, nuk shoh ndonjë pengesë në kuptimin e tillë të legjitimitetit, zgjedhjet lokale janë për t’i ofruar administratë qytetarëve atje për të shërbime publike në interes të tyre”, thotë kryetari i Komisionit për Legjislacion.
“Mendoj që është në interes të qytetarëve pa dallim etnie të këtyre komunave që të zgjedhin strukturat e tyre për të vazhduar administrimin e zgjedhjeve lokale. Duhet marrë parasysh që nuk ka kufizime sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje kur bëhet fjalw për zgjedhjen e kryetarëve të komunave apo anëtarëve të kuvendeve, KQZ duhet të krijojë trupat siç kërkohet me ligj, trupa komunalë që administrojnë në nivel komunal, pastaj edhe këshilltarët e vendvotimeve, me përfaqësim të subjekteve politike por edhe me përfaqësim të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile. Dhe natyrisht duhet të sigurohet mbarë vajtja e procesit zgjedhor”, thotë ai.
Rrustemi, i cili është pjesë e partisë në pushtet, thotë se me dorëheqjen e katër kryetarëve zgjedhjet janë të pashmangshme, pavarësisht situatës politike në vend.
“Situata ka dy dimensione, dimensionin politik dhe dimensionin procedural kushtetues dhe ligjor. Sundimi i ligjit, kushtetueshmëria nuk kanë alternativë dhe nuk mund të eskivohen, pas dorëheqjeve të tyre ato janë bërë fuqiplotë dhe duhet padyshim të ketë vendim për mbajtjen e zgjedhjeve dhe duhet të ketë zgjedhje. Gjithsesi, kjo duhet të përmbushet, të realizohet, KQZ duhet të përmbushë kompetencat që ka dhe të kemi struktura komunale që përmbushin kompetencat deri në fund të mandatit aty ku është ndërpre. Pastaj këto çështje të tjera politike janë çështje të ndara nga ky procesi kushtetues ligjor i organizimit të zgjedhjeve, mund të kenë ndikime në njëra tjetrën por nuk e zëvendësojnë”, thotë Rrustemi.
Dorëheqjet e serbëve në veri të Kosovës erdhën pasi Qeveria e Kosovës filloi fazën e parë të implementimit të vendimit për targat, atë të qortimit për ngasësit e veturave me targa ilegale.
Vendim ky që sipas profesorit të shkencave politike, Dritëro Arifi, ishte i gabuar nga ana e qeverisë.
“Zgjedhjet janë zgjidhje nga aspekti ligjor kushtetues por nga aspekti praktik aty do të vuajmë shumë sepse çka nëse dështojnë, çka do të ndodh atëherë ligji nuk parasheh çka ndodh nëse dështojnë zgjedhjet, nuk e kemi të paraparë me ligj a ndoshta mund të përsëritën , por çka nëse edhe njëherë dështojnë. Në njëfarë mënyre ne po varemi nga dëshira e komunitetit serb. Prandaj thash vendimi për targa ka qenë shumë amatoresk sepse tash ne çdo që e bëjmë duhet të varemi a dëshirojnë serbët e veriut apo jo ne të shkojmë në zgjedhje”, thotë Arifi.
Implementimi i fazës së dytë të vendimit për targat është planifikuar të fillojë më 21 nëntor, që parasheh gjobë për shoferët që ngasin vetura me targa ilegale dhe nuk pranojnë t’i konvertojnë ato në RKS.