Lëvizja Vetëvendosje e cila udhëhiqet nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, sërish ka publikuar një video në të cilën targetohen kundërshtarët e saj politikë dhe bizneset, raporton Gazeta Sinjali.
Në videon e publikuar në faqen zyrtare të partisë, VV-ja ka sulmuar liderët opozitarë, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiju dhe Ramush Haradinaj. Por nuk ka shpëtuar pa u përmendur edhe një figurë kyçe e PDK-së, sidomos në rajonin e Drenicës, Sami Lushtaku.
Në këtë video, VV pretendon se këta të fundit kanë të bëjnë me vjedhje, zhvatje, hajni dhe pasurim nga politika.
Me titullin “Çka ka çka s’ka këto 2 vite në Kosovë?”, Vetëvendosje ka sulmuar subjektet opozitare, për t’i krahasuar veprimet e tyre me të vetat, të cilat VV i konsideron si të arritura.
“Çka ka çka s’ka këto 2 vite?
Nuk ka vjedhje, zhvatje, hajni. Pasurim të politikanëve nga politika.
Nuk ka pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin.
Nuk ka nënshtrim dhe nuk ka nënshkrim kundër Republikës së Kosovës.
Ka shtet sepse s’ka banda.
Ka zhvillim sepse s’ka hajni.
Ka vizion sepse s’ka mësymje private.
Ka shtet sepse ka shoqëri, ka qytetari.
Ka REPUBLIKË”, thuhet në postim.







