Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore ndaj dy të miturve për rastin e vrasjes së Lulzim Fejzullahut në janarin e 2024. Dy të miturit ishin dënuar për herë të dytë me 19 vite dënim me burgim, për të dy.
“REFUZOHEN si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve të të miturve dhe aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – departamenti për të mitur, i datës 31.07.2024 VËRTETOHET”- thuhet në vendimin e Apelit.
Edhe në rigjykimin për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, dy të miturit për herë të dytë ishin gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës duke u dënuar të dy së bashku me 19 vite dënim me burgim. Shpallja e aktgjykimit ishte bërë më 31.07.2024.
Herën e parë Gjykata i kishte dënuar dy të miturit me nga 19 vite dënim me burgim për dy të miturit më 23.05.2024.
18-vjeçari vdiq më 20.01.2024 (Detajet e Policisë për vrasjen e të riut në Podujevë: Rrahjes brutale i parapriu një mosmarrëveshje (kallxo.com), gjashtë ditë pas plagëve që mori nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta nga të dyshuarit dy bashkëmoshatarë në Podujevë.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast ishte mbajtur e mbyllur pasi që në rast janë të përfshirë të miturit.
Rasti ishte iniciuar si vrasje në tentativë, e më pas shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka, kishte treguar për KALLXO.com se te viktima nuk u evidentua se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale me mjete të forta (shkop druri).
Për rastin në fjalë Inspektorati Policor i Kosovës kishte treguar se kishin filluar hetimet për të zbardhur trajtimin e rastit të të riut.
Në një videoincizim, që ishte publikuar në rrjete sociale, shihej se i riu fillimisht ishte goditur me veturë e më pas dy personat që ishin në veturë dalin dhe e godasin me mjete të forta.
Për këto pamje të publikuara kishte reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, i cili ka kërkuar që mediat të largojnë pamjet pasi sipas tyre, të njëjtat nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik dhe profesional.
Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14.01.2024 në Podujevë në 13:00h.
Sipas raportit policor të datës 15.01.2024, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë” ( Rasti i të riut në Podujevë – Policia tha se pati therje me thikë, Shefi i Intensivës: Pati lëndime nga goditjet por nuk u evidentua therja (kallxo.com).
Gjashtë ditë më vonë, më 20.01.2024, Lulzim Fejzullahu vdiq në QKUK.//Kallxo.com







