Gjykata Supreme ka marrë vendim me të cilin e ka liruar nga akuza Baki Reçicën në rastin ku ky i fundit së bashku me Bali Reçicën akuzoheshin se kishin privuar nga jeta djalin e dajës F. K.
Vendimi i supremes vjen pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga mbrojtësi i Baki Reçicës, Fanol Krasniqi.
Krasniqi i pakënaqur me vendimin e gjykatës së shkallës së parë për dënim e të mbrojturit të tij me 3 vite për pjesëmarrje në rrahje dhe gjykatës së shkallës së dytë ku e kishte dënuar Bakiun për sulm me 10 muaj dënim me burgim kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Supremja kishte aprovuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë edhe të mbrojtësit të Bali Reçicës, Skender Musës, duke anuluar aktgjykimin dënues të Themelores të datës 22 mars 2022 dhe aktgjykimin e Apelit të datës 19 korrik 2022, ku çështjen penale sa i përket vrasjes të kthehet në rigjykim.
Sipas vlerësimi të Supremes, Baki Reçica ishte akuzuar se në bashkë kryerje e ka kryer veprën penale vrasje e rëndë, pastaj ishte rikualifikuar vepra nga gjykata dhe ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në rrahje ku ishte dënuar me 3 vite burg. Por Apeli sipas Supremes e kishte ndryshuar aktgjykimin e themelores duke e shpallur fajtor Bakiun për veprën penale të sulmit, e duke e dënuar me 10 muaj dënim me burg.
Sipas Supremes, Apeli e ka marrë rolin e shkallës së parë pasi që kishte përshkruar veprimet inkriminuese të veprës penale të sulmit, për çka edhe ishte dënuar nga Apeli, ani pse Themelorja e kishte gjetur fajtor për një vepër krejt tjetër penale.
Tutje supremja thotë që Apeli nuk është dashur të krijoj dispozitiv të ri dhe të njëjtin ta shpall fajtor edhe një herë për vepër tjetër penale Bakiun.
“Mirëpo, meqë gjykata e shkallës së dytë ka konkluduar se në veprimet e të dënuarit të përshkruar në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë nuk qëndrojnë elementet e veprës penale të pjesëmarrjes në rrahje është dashtë ta liroj nga akuza, por jo të krijojë dispozitiv krejt të ri dhe ta shpallë edhe njëherë fajtor të pandehurin, madje për një vepër tjetër penale”- thuhet në aktgjykimin e supremes.
Akti akuzues ndaj Baki dhe Bali Reçicës ishte ngritur me 30 maj të vitit 2018 për vrasje të rëndë, kurse të dytin edhe për armëmbajtje pa leje.
Ashtu që për Bali Reçicën për vrasje, gjykata e kishte dënuar me 15 vite dënim me burgim ndërsa ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje (thikë). Për pjesëmarrje në rrahje Bakiu ishte dënuar me 3 vite dënim me burgim.
Palët në procedurë kishin ankimuar këtë aktgjykim të Themelores dhe rastin e kishte trajtuar Apeli.
Gjykata e Apelit më 19 korrik të vitit 2022 kishte marrë vendim me të cilin pjesërisht e kishte ndryshuar aktgjykimin e Themelores ashtu që Baki Reçicën e kishte shpallur fajtor për veprën penale të sulmit.
E kështu duke i shqiptuar Baki Reçicës dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 muajsh për veprën penale të sulmit.
Sipas aktakuzës të prokurorisë të akuzuarit, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K., djalin e dajës.
Rasti kishte filluar kur një nga punëtorët e Bali dhe Baki Reçicës, ishte penguar për të hedhur mbeturina në një parcelë nga F.K.
Pastaj Bali dhe Baki Reçica ishin konfrontuar me djalin e dajës, pasi që të njëjtit ishin në mosmarrëveshje për pronën për mbi 10 vite.//Kallxo.com