https://www.facebook.com/etcks https://www.facebook.com/etcks https://www.facebook.com/etcks

Vrasjet e grave, Osmani e Kurti ia drejtojnë gishtin gjykatave dhe prokurorive: Sistem i padrejtësisë

KPresidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas rasteve të fundit të vrasjeve të grave dhe dhunës në familje ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm me Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, në të cilin kanë marrë pjesë krerët e institucioneve të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile, por jo edhe ata të institucioneve të drejtësisë, të cilët ishin të ftuar, shkruan Gazeta Sinjali.

Në fjalën hyrëse, Osmani e ka cilësuar epidemi vrasjen e vajzave dhe grave, ndaj ka potencuar se shteti ka detyrim ligjor ndaj qytetarëve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për t’u përballur më dukurinë e femicidit.

Presidentja ka kritikuar mospjesëmarrjen në takim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe Këshillit Prokurorial, duke e cilësuar bojkotin e tyre në këtë takim si një bojkot ndaj shtetit dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut.

Sipas presidentes, shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku gratë u bënë viktima të bashkëshortëve dhe partnerëve të tyre e me raste edhe të baballarëve, mund të parandaloheshin.

“Në secilin nga këto raste dështoi të paktën një hallkë e sistemit”, ka theksuar Osmani.

ADVERTISEMENT

Më tej, Presidentja Osmani ka shpalosur disa statistika në raport me veprimet e institucioneve të drejtësisë në rastet e dhunës seksuale.

Në këtë kontekst, ka kërkuar përgjegjësi nga mekanizmat kompetentë.

“Përgjegjësia për secilën nga këto vepra padyshim se bie mbi kryesin e veprës. Por, secili nga këto raste kërkon përgjegjësi të shtuar edhe nga mekanizmat kompetentë të cilët janë të obliguar të sigurojnë mbrojtje adekuate për viktimën”, është shprehur ajo.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ka thënë se gratë në shoqërinë kosovare janë më të rrezikuara se burrat. Ai, po ashtu, ka pasur disa kritika të posaçme për sistemin gjyqësor, të cilin e ka quajtur jo-profesional dhe politizues.

“Rrezikun në Kosovë nuk e ndajnë njësoj burrat edhe gratë. Gratë janë më të rrezikuara. Por janë në veçanti të rrezikuar nga një kategori e burrave. E tash duhet të bëhemi bashkë, edhe gratë me solidaritet gjinor, edhe burrat, emancipimi i të cilëve është edhe më i nevojshëm sesa i grave, që t’i mbrojmë gratë, të cilat e kanë rrezikun më të madh sesa burrat”, deklaroi ai, sipas komunikatës së Qeverisë.

Ai ka fajësuar drejtpërdrejtë Prokurorinë dhe Gjyqësorin për rastet e dhunës dhe vrasjes së grave. Ai ka deklaruar se përgjigja institucionale ndaj krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme.

“Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie.

Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka deklaruar se pengesat në sistemin e drejtësisë, nuk do t’i ndalin përpjekjet për evitimin rasteve të dhunës ndaj gruas.

Të gjitha institucionet e pranishme dhe anëtarët e shoqërisë civile kanë dhënë rekomandime konkrete të cilat do të publikohen në ditët në vijim në formë të platformës ndërinstitucionale për luftimin e femicidit dhe dhunës në familje.

Poste të ngjashme

Lajmi i fundit