Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “terrori ndaj serbëve vazhdon” pasi në Kosovë janë arrestuar 16 qytetarë nga Serbia, të cilët, sipas fjalëve të tij, “ishin duke vizituar Bogosllovinë dhe manastiret në rrethinën e Prizrenit”, raportojnë mediat e regjimit serb.
Vuçiqi ka thënë se në Kosovë janë arrestuar 16 persona nga Serbia, të cilët kanë shkuar për të vizituar Bogosllovinë dhe manastiret në afërsi të Prizrenit.
“Merreni me mend, disa nga ata njerëz janë edhe anëtarë të strukturave të sigurisë, dhe pastaj te ata kanë gjetur, thonë, një thikë dhe një sëpatë të thyer. Dhe kjo ju tregon se çfarë lloj terrori kundër serbëve vazhdon, sepse e vetmja gjë që ka rëndësi është se është kundër serbëve. Dhe sigurisht, të gjithë do të heshtin dhe nuk do të thonë asnjë fjalë”, “ankohet” Vuçiqi, transmeton Paparaci.
Vuçiqi njëkohësisht ka thënë se situata në rajon “është shumë e vështirë, veçanërisht situata politike në Republikën Serbe dhe në Bosnjë e Hercegovinë” dhe haptas ka kërcënuar me fjalët se “çdo vendim për të tentuar arrestimin e Millorad Dodiku do të ishte katastrofik për të gjithë rajonin dhe Serbinë”.
Ai ka thënë se prandaj është e nevojshme të ruhet paqja dhe të mos merren masa të nxituara.
Vuçiqi gjithashtu ka thënë se në muajin e ardhshëm pret një takim me presidentin Donald Trump. Me atë rast, siç ka paralajmëruar, sërish do ta ngrejë çështjen e vendosjes së taksave dhe doganave për mallrat serbe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Paparaci.com