Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në 49.3 për qind në numërimin e deritashëm të votave me postë, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Përqindja e re është prej procesimit të të dhënave nga 23.4 për qind e vendvotimeve.
Nga procesimi i të dhënave prej 44 vendvotimeve nga 188 sa janë gjithsej, LVV-ja prin me 5970 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e dyta në procesin e votimit me postë me 3535 vota apo 29.19 për qind. Partia Demokratike e Kosovës është e treta me 8.09 për qind, ndërsa koalicioni AAK-Nisma i katërti me 5.86 për qind.
Para përditësimit të mbrëmjes të shtunën, VV-ja kishte 2669 vota nga numërimi me postë apo 44.33 për qind. LDK-ja ishte e dyta, AAK-Nisma e treta dhe PDK-ja e katërta.
LVV-ja ka pasur trend edhe më të lartë në votimin në përfaqësitë diplomatike, me mbi 80 për qind të votave. E në votimet në vendvotimet në Kosovë, VV-ja ka marrë 40.9 për qind.
Me postë kanë votuar rreth 60 mijë qytetarë. Pas kësaj do të numërohen edhe mbi 15 mijë votat me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.