Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar aktivitetet për përgatitjen e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në kuadër të këtyre përgatitjeve, për dy ditë radhazi, KQZ njofton se ka zhvilluar programin e trajnimit për mbi 200 anëtarë të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
Ky program trajnimi, i cili organizohet në çdo proces zgjedhor, synon informimin dhe përgatitjen e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve lidhur me përgjegjësitë, detyrat dhe obligimet e tyre ligjore gjatë ushtrimit të mandatit në kuadër të procesit zgjedhor.
Gjithashtu, zhvillimi i këtij programi trajnues synon arritjen e disa objektivave, disa prej të cilave janë:
- ofrimi i njohurive për anëtarët e KKZ-ve për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, më konkretisht për përgjegjësitë e tyre gjatë mandatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës;
- pajisja me njohuri të hollësishme dhe të detajuara lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë në menaxhimin e operacioneve zgjedhore në komunat ku do të veprojnë;
- informacione për aktivitetet që lidhen me trajnimin, votimin dhe numërimin në Vendvotime, si dhe për procesin e numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përfshirë përdorimin e platformës digjitale për futjen e të dhënave.
Gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, anëtarët e KKZ-ve kanë përgjegjësi të rëndësishme në menaxhimin dhe administrimin e aktiviteteve zgjedhore në komunat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndryshe, më 8 maj, KQZ ka emëruar mbi 200 anëtarë të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së, duke garantuar ligjshmëri, legjitimitet dhe efikasitet të procesit zgjedhor. Mandati i anëtarëve të KKZ-ve fillon pas emërimit të tyre nga KQZ dhe përfundon 15 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.







