Pamjet e dhunës që u ushtrua ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë, nuk po dalin të jenë i vetmi moment që po dyshohet se 70 vjeçarja u përball me monstruozitetin e infermierëve të kësaj qendre, që shteti sot ia revokoi licencën. Raporti mjekësor për Minire Nurën tregon se e moshuara ka ende disa mavijosje tjera në pjesë të ndryshme të trupit dhe një djegie të shkallës së lartë në këmbë.
Shenja të dhunës në të dy duart, mavijosje në gjendje përmirësimi në shpinë e djegie të shkallës së lartë në këmbën e majtë; krejt këto shenja monstruoze u evidentuan nga mjekët e Spitalit të Pejës, gjatë kontrollit të 70 vjeçares Minire Nura, e cila deri të mërkurën ka qëndruar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
E moshuara, që u sulmua mizorisht nga një ish-infermiere, me përkrahje ‘morale’ e çnjerëzore të tri ish-infermiereve tjera, përpos pasojave psikologjike, po del se ka përfunduar edhe me pasoja të rënda fizike gjatë qëndrimit të saj në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Gjendjen e rëndë fizike dhe shenjat e dhunës që i konstatuan mjekët pas ekzaminimit të të moshuarës, dje në Spitalin e Pejës, i ka konfirmuar edhe avokati i familjes së Minire Nura nga Gjakova, Meshar Selimaj.
“Nga ekzaminimi që i është bërë dje nga Spitali i Pejës, vërehen lëndime në shpinë dhe duar, hematoma, ndërsa sot nga familjarët është vërejt një lëndim i djegies në këmbë tek e dëmtuara. Hematomat duken që janë të disa ditëve më parë”, ka thënë avokati Selimaj për Gazetën Online Reporteri.net.
Rasti ku dëshmohet ushtrimi i dhunës monstruoze ndaj të moshuarës nga Gjakova, nëna e një dëshmori të luftës, u publikua të mërkurën në rrjetet sociale. Pamjet kur ish-infermierja e qendrës “Orenda” në Pejë, Aurona Pelaj, e godiste 70 vjeçaren e cila dëniste nga dhuna që po përjetonte, ndërkohë që disa dy ish-infermiere tjera po e incizonin dhe u argëtonin me veprimin e koleges së tyre, çuan në arrestimin dhe paraburgosjen e tre ish-infermierëve në fjalë dhe revokimin e licencës së shtëpisë së pleqve në Pejë, i licencuar deri më sot si institucion privat.
Avokati i familjes Nura thotë se familja e viktimës janë duke e përcjell rastin, dhe sipas tyre, deri tani çdo gjë po shkon mirë dhe në vënie të drejtësisë për të moshuarën.
“Po shihen veprime hetimore intenzive që po ndërmirren për vënien e drejtësisë nga Prokuroria e Shtetit, andaj unë si i autorizuar në këtë rast, me interesim po i ndjek zhvillimet në vazhdim”, tha Meshar Selimaj të premten për gazetën online Reporteri.net.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave, përmes një komunikate për media ka njoftuar të premten se shtëpisë për kujdesin e të moshuarve “Orenda” në Pejë, i është hequr licenca, pas rastit të fundit. Paraprakisht, edhe tre ish-infermiereve iu hoq licenca nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit”, thuhet në njoftim e Ministrisë së Financave.
Sipas këtij vendimi, qendrës “Orenda” i është dhënë kohë deri më datë 7 nëntor që ta dorëzojë licencën dhe ta mbyllë aktivitetin e saj. Të njëjtit janë obliguar që brenda 24 orëve t’i njoftojnë edhe familjarët e të moshuarve që jetojnë aty lidhur me këtë vendim.
Ndryshe, sot në Gjakovë u mbajt një protestë kundër aktit të dhunës që tronditi jo vetëm Kosovën, por u bë lajm edhe në mediat e huaja. Pjesë e protestës ishte edhe e bija e së moshuarës, e cila ka kërkuar drejtësi dhe vetëdijësim nga institucionet.
“Ju kisha lutë që të ketë drejtësi, të vetëdijesohen të gjitha institucionet se mama ka shku atje për një kujdes më të mirë, sepse ka pas nevojë për një kujdes mjekësor, për një përkrahje dhe neve na ka pas mbrapa. Mama nuk e ka vetëm Zhanetën, Milotin dhe Taulantin. Unë çka pash sot është se mama ju paska krejt juve” ka thënë ajo.
Ndërkohë, të enjten, Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tri të dyshuarave, nën pretendimet e Prokurorit të Shtetit se aktin e shëmtuar e kishin planifikuar paraprakisht.
“Gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to. Andaj, duke u bazuar në rrethanat e rastit konkret, gjykata ka arritur në përfundim se në këtë fazë të procedurës është i nevojshëm caktimi i masës së paraburgimit për të tri të pandehurat me qëllim të pengimit të përsëritjes së veprës penale, kryerjes së ndonjë vepre të re penale apo ndikimit në dëshmitar”, thotë vendimi.
Rasti në fjalë ka nxitur reagime të ndryshme në Kosovë, dhe është dënuar edhe nga krerët e shtetit. /Reporteri.net/.