Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në vend, ku serbët u larguan nga pozitat e tyre drejtuese nëpër institucionet e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, vendimi politik i Listës Serbe për tërheqje nga të gjitha postet politike publike në vetvete nuk do të duhej të ishte shqetësues, sepse do të shihej si një manovër politike dhe mjet presioni.
Por, shton ai, kjo tërheqje duket se shënon fillimin e një veprimi tjetër, shumë më të rrezikshëm.
“Në veri sot me diktat politik, përmes Listës Serbe ka filluar një diversion i hapur i Vuçiqit ndaj institucioneve të rendit dhe ligjit në vendin tonë. Pra ka një linjë të qartë që e ndan politikën nga strukturat e rendit dhe ligjit. Me diktat puro politik policët, prokurorët, gjykatësit dhe duket të gjithë shërbyesit civilë serbë sot kanë dhënë dorëheqje nga këto pozitat e tyre. Kjo është shumë serioze dhe shkon larg përtej një fizkulture politike siç është tërheqja nga postet politike”, thekson Hyseni.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së thotë se gjatë ditëve të kaluara, “shumë nga ne kemi tërhequr vërejtjen për pasojat e mundshme të vendimeve të Albin Kurtit”.
Zhvillimet e sotme, thotë ai, “janë indikatorë të qartë se Qeveria e Serbisë dhe strukturat parapoltike në veri të Kosovës kanë mirëpritur politikat aventureske e fëmijërore të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, të cilët me kryeneçësi rrënuan çdo gjë që me aq mund ishte arritur në integrimin e veriut në sistemin e Kosovës që nga viti 2013”.
“Me veprimet e tyre politike, Kurti e Osmani, po u shërbejnë agjendave kriminale e diversive serbe në veri. Respektimi i kërkesës amerikane e evropiane për shtyrje të zbatimit për targa do ta evitonte gjithë këtë situate e cila tashti ka rrezik të eskalojë”, potencon ish-ministri i Jashtëm i Kosovës.
Ai thekson se kryeministri “Albin Kurti po refuzon çdo koordinim dhe bashkëpunim me partnerët e Kosovës në botë”, ndërsa shton se “paradoksalisht, rreziku më i madh Kosovës sot po i vjen nga këta liderë dhe aventurat e tyre fëmijërore politike”.
“Me politikat e tyre shkurtpamëse, Kurti e Osmani po ia dorëzojnë veriun e Kosovës në pjatë Serbisë dhe politikës kriminale të saj”, ka përfunduar Skender Hsyeni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës. /Klankosova.tv