Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit të paralajmëruara nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për datë 18 dhjetor, i kanë ndarë qytetarët serbë. Derisa disa thonë se këto të fundit duhet të mbahen dhe se ata do të dalin në votime, të tjerët konsiderojnë se nuk është momenti i duhur dhe se ato nuk duhet mbajtur. Ndërsa thirrjet për rezistencë prej datës 21 nëntor nga e ashtuquajtura ‘Brigada veriu’, veriorët nuk i marrin seriozisht.
Ata thonë se ngjarjet e fundit janë vetëm pjesë e politikës e cila në fund do të zgjidhet në mënyrë paqësore.
Bojan Premoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, e ka përshkruar të qetë situatën e përgjithshme në veri.
Ai tha se ndihet i sigurt pavarësisht dorëheqjes së pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës në atë pjesë.
Sipas tij, gjithçka do të zgjidhet në mënyrë paqësore para datës 21 nëntor, ndërsa u shpreh se zgjedhjet e paralajmëruara për 18 dhjetor në komunat veriore të vendit duhet të mbahen dhe se ai do të dalë të votojë.
“Unë ndihem plotësisht i sigurt, pavarësisht të gjitha ngjarjeve… Është qetë dhe më shumë se kaq… Mund të ketë tensione, barrikada (pas datës 21 nëntor), por krejt është pjesë e politikës dhe mendoj se kjo do të zgjidhet në mënyrë paqësore… Kam dëgjuar (për Brigada veriu) vetëm përmes mureve dhe rrugëve, nuk e di kush qëndron prapa saj… Mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet. Nuk e di nëse do të mbahen, por serbët duhet të dalin në këto zgjedhje. Po do të dalë pse jo, kam letërnjoftim të Kosovës”, ka thënë Premoviq.
Edhe Branislav Miliq, një qytetar tjetër nga kjo pjesë e Mitrovicës, tha se do t’iu përgjigjet pozitivisht zgjedhjeve të 21 nëntorit.
Ai bëri të ditur se thirrjet për rezistencë pas datës 21 nëntor nga ana e ‘Brigada veri’, nuk vlejnë për qytetarët.
“Situata është gjithmonë në pikëpyetje, por ndoshta një ditë do të zgjidhet, në mënyrë që të dyja palët të jenë të kënaqura, si serbët ashtu edhe shqiptarët… Unë gjithmonë jam ndjerë i sigurt, sepse kam pasur miq shqiptarë… Kurrë në jetë nuk kam dëgjuar (Brigada veri)… Grafitet, muret mbajnë gjithçka. Këto janë vetëm disa porosi të cilat nuk vlejnë, dhe nuk do të duhej të vlejnë… Zgjedhjet zakonisht mbahen kur ka ndonjë krizë… Kjo (dorëheqjet e kryetarëve të komunave) është një protestë kundër politikës së udhëheqësve shqiptarë… Unë gjithnjë dalë në votime pavarësisht kush i organizon ato”, theksoi Miliq.
Dragomir Jerakoviq, i cili nuk deshi të flas për zgjedhjet, ‘Brigadën veriore’ dhe nëse po ndihet i sigurt pa prezencën e policëve të Kosovës nga komuniteti serb, ka akuzuar Brukselin për tërë situatën e krijuar, duke thënë se të gjithë qytetarët po humbasin bashkërisht nga kjo situatë.
“Parashtroj pyetje Brukselit deri ku e ka sjellë këtë situatë, ne jemi të habitur, po del se dikush është i çmendur, e, dikush i habitur. Të gjithë ne po humbasim, si shqiptarët ashtu edhe serbët”, tha ai.
Në anën tjetër, Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës Qytetare ‘Mbijetesa serbe’ në veri të Mitrovicës, e ka vlerësuar situatën e përgjithshme në atë pjesë si jo të mirë dhe me mundësi të përshkallëzimit pas datës 21 nëntor.
Ai u shpreh se në një atmosferë çfarë mbretëron aktualisht në veri, ai dhe Iniciativa e tij nuk do të marrin pjesë dhe se zgjedhjet nuk duhet të mbahen assesi.
Në lidhje me sigurinë e qytetarëve tashmë pas dorëheqjes së policëve serbë, Arsenijeviq tha se përvoja nga e kaluara i ka mësuar dhe se qytetarët thjeshtë po solidarizohen me njëri tjetrin.
“Situata nuk është e mirë dhe sa po vërej me afrimin e 21 nëntorit, mendoj se do të ashpërsohet, ndërsa tek pas datës 21 nëse mbetet vendimi i njëjtë i Qeverisë së Kosovës, mendoj se kjo kërcënon konflikte më të gjera… Ne nuk e kemi për herë të parë që gjendemi në situatë të tillë (pa policë serbë). T’ju përkujtoj se deri më 2003 nuk ka ekzistuar Policia e Kosovës, ka ekzistuar Policia e Kombeve të Bashkuara, dhe qytetarët tani të mësuar me një përvojë të tillë si dhe përvojën deri në vitet 2012-2013, thjesht po solidarizohen me njëri-tjetrin, sa do të zgjasë kjo është pyetje e momentit çfarë do të ndodhë…”
“Mendoj se kjo tani nuk është diçka serioze (Brigada veri)… Në këtë atmosferë jo kurrsesi, ndërsa mendoj se 18 dhjetori është periudhë e shkurtër për të organizuar zgjedhje. Ne edhe duke qenë policia vitin e kaluar nuk kemi pasur zgjedhje fer dhe demokratike, se jo më tani pa polici dhe veç kësaj edhe qytetarët tanë shumica e të cilëve mendojnë se duhet bojkotuar këto zgjedhje, andaj mendoj se nuk ka kuptim as ne të kandidojmë si Iniciativë Qytetare”, tha a.