Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka dënuar sulmet e përsëritura ndaj gazetarëve që po raportojnë nga vendi i ngjarjes në veri të Kosovës, aty ku po vazhdojnë tensionet e nxitura nga serbët lokalë.
Përmes një reagimi, Osmani ka thënë se këto sulme që, siç tha ajo, janë të kryera nga banda kriminale serbe, dëshmojnë përpjekjet e Beogradit për ta fshehur të vërtetën, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Sulmet ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i Kosovës, të kryera nga bandat kriminale të mbështetura nga Vuçiq, tregojnë qëllimet e vërteta të Beogradit për ta fshehur të vërtetën”, shkroi Presidentja në Twitter.
Tutje, presidentja Osmani theksoi se qëllimet e Serbisë për destabilizim mbeten të njejta por që do të dështojnë.
“Udhëheqja e Serbisë mund të ketë ndryshuar që nga vitet ’90, por qëllimet e tyre nuk kanë ndryshuar. Ata do të dështojnë. Demokracia dhe shteti i së drejtës do të mbizotërojnë”.
Sulmi më i fundit i këtij lloji ndodhi sot gjatë ditës.
Teksa ajo po shpjegonte situatën e krijuar në veri të Kosovës, aty ku janë vendosur dy barrikada të reja mëngjesin e sotëm, i është hedhur kapsolli.
Sapo vuri re prezencën e lëndës plasëse, ajo u largua, por pamjet filluan të transmetoheshin live edhe pas ngjarjes.
Të hënën në veri të vendit, specifikisht afër barrikadave të vendosura në fshatin Çabër të Zubin Potokut, është sulmuar me gurë edhe një ekip i mediumit Klan Kosova.
Klan Kosova kishte raportuar se nga ky sulm kanë mbetur të lënduar gazetarja dhe shoferi.
Drejtori i këtij mediumi, Adriatik Kelmendi, kishte thënë se gazetarja dhe shoferi kanë pësuar lëndime të lehta, dhe se ky sulm është kryer nga serbë të maskuar.







