Perspektiva evropiane dhe anëtarësimi i përshpejtuar në Bashkimin Evropian mbetet urgjente, ka thënë deputeti i Bundestagut, Volkler Ullrich, raporton gazeta online Reporteri.net.
Në lidhje me tensionet e fundit në pjesën veriore të vendit, deputeti gjerman ka kërkuar përgjigje të qartë e të bashkuar të BE’së ndaj Serbisë, duke aluduar në bllokimin 20 ditësh të pjesës veriore të vendit.
“Situata në Kosovë nuk duhet të përkeqësohet më tej. Ajo që nevojitet është një mesazh i qartë dhe i koordinuar nga Evropa për Serbinë. Kërkohet de-përshkallëzimi dhe stabiliteti. Një perspektivë evropiane për Kosovën me anëtarësimin e hershëm në BE mbetet urgjente”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Twitter.

Kosova javë më parë ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e saj për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian derisa ky aplikim pritet që të trajtohet nga Presidenca Suedeze vitin tjetër.
Kosova nuk gëzon njohjen e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian derisa vendimet në BE merren me konsensus të përgjithshëm./Reporteri.net/






