Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 14 tetor 2022 kishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Fadil Kodrën.
Në vendimin që ishte marr asokohe thuhej se Fadil Kodra është shkarkuar për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale.
Mirëpo, ky vendim është anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbime Civile të Kosovës, raporton Kallxo.com.
Një dokument i këtij këshilli ka bërë të ditur që është aprovuar si e bazuar ankesa e parashtruar e Kodrës dhe se është anuluar vendimi i Kurtit e edhe vendimi i ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla për suspendimin e Kodrës.
Dokumenti në fjalë tutje tregon se MPB obligohet që ankuesit Fadil Kodra t’ia kompensoj të gjitha pagat e pa realizuara nga dita e shkarkimit, 14 tetor 2022, deri në ditën e zbatimit të këtij vendimi.
Po ashtu, vendimi tregon se Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë obligohet që në pajtim me dispozitat e ligjore në fuqi të emëroj ankuesin në një pozitë të mesme drejtuese apo profesionale në kuadër të Shërbimit Civil.
Për këto obligime, KPMSHCK ka dhënë kohë vetëm 15 ditë që nga dita e pranimit të këtij vendimi.

Vendimi që në tetor të 2022-ës kishte treguar se kishte gjetje që dëshmojnë keqmenaxhimin, e sipas vendimit me këtë edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Kujtojmë se Kodra ishte shkarkuar edhe një herë nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, më 15 korrik 2022, e ky veprim i ministrit ishte anuluar pas afro dy muajve, më 7 shtator 2022 nga KPMSHCK.
Këshilli kishte obliguar Sveçlën që brenda 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë.
“Obligohet Ministri i MPB-së, që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthej ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës” – ishte thënë në vendimin e KPMSHCK-së.







