Mbyllja e gjashtë njësive të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nga Policia dhe Administrata Tatimore e Kosovës, ka nxitur reagime te faktori ndërkombëtar. Ky veprim i autoriteteve kosovare po cilësohet si i pakoordinuar dhe se mund t’i përshkallëzojë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Operacioni i zhvilluar në pasditen e 20 majit 2024, rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale, siç janë: rreth 1.6 milionë euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga dhe mbi 13 mijë dollarë amerikanë.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Kallxo.com, që janë të zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të tilla në zyrat financiare në veri të Kosovës me udhëzim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet”- thuhet në përgjigjen e DASH-it.
Ky “aksion i pakoordinuar”, sipas zëdhënësit të DASH-it, minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Çështjet që lidhen me këto zyra kanë qenë objekt i diskutimeve të gjata në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”- thuhet më tej në përgjigjen e DASH-it.
Sipas zëdhënësit të Departamentit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive për të mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, së fundmi nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj.
S
htetet e Bashkuara përsërisin shqetësimet e tyre të qarta për zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës që kufizon importin dhe përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
DASH i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë ato të minoritetit serb- i ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në Rregulloren e monedhës.
Njëjtë, edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësimin se veprime të tilla të pakoordinuara përshkallëzojnë tensionet.
“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë”- shkruan në reagimin e ambasadës në platformën “X”.







