Komuna e Podujeves, 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve e ka shënuar me shumë aktivitete dhe një program të pasur festiv. Aktivitetet për shënimin e kësaj dite përgjithësisht janë shënuar në sheshin “Katër Dëshmorët”, në të cilën morën pjesë nënkryetarja Marigona Lahu, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Humolli-Jashanica dhe drejtorët Avni Fetahu dhe Adelina Stublla.
Në këtë program të larmishëm festiv u zhvilluan gara sportive në ragbi, pingpong, shah, streetball dhe atletikë të organizuar nga arsimtarët dhe profesorët në shkollat fillore dhe të mesme në Podujevë.
Për ditën e fëmijëve, Stacioni Policor në Podujevë ishte e pranishme me pjesëtaret e saj për t’i argëtuar fëmijët. Kurse në Teatrin “Avdush Hasani” u dha shfaqja për fëmijë “Krahët e Bletës”.
Krahas këtyre aktiviteteve për të pasuruar shënimin e kësaj dite kishte performancë nga Flaka e Llapit – 3 valle popullore nga grupi i fëmijëve dhe vizatime, tri pika muzikore nga Shkolla e Kitares “Mirela”, pika e Baletit nga shkolla e Lupçit “Zenel Hajdini”, valle nga shkolla “Dëshmorët e Kombit”.







