Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar një letër zotimi me përfaqësuesit e USAID-it në Kosovë, duke e angazhuar Komunën e Podujevës si pjesë të aktivitetit “Integriteti i Komunave të Kosovës” (KMI). Ky angazhim synon përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe luftimin e korrupsionit në nivel lokal, me fokus të veçantë në prokurimin publik.
Në këtë letër, Kryetari Bulliqi shpreh përkushtimin e tij për të zbatuar standarde të larta të transparencës dhe integritetit. Aktiviteti KMI i USAID-it përfshin përforcimin e mekanizmave të përgjegjshmërisë përmes bashkëpunimit me shoqërinë civile, sektorin privat dhe median, duke synuar një qeverisje lokale më të përgjegjshme dhe të drejtë.
Ky bashkëpunim mes Komunës së Podujevës dhe USAID-it përfaqëson një hap të rëndësishëm në fuqizimin e integritetit institucional dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Podujevës.
Postimi i plotë:
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi ka takuar përfaqësuesit e USAID-it në Kosovë, me këtë rast ka nënshkruar letër zotimin për të qenë Komunë në fokus e aktivitetit të USAID-it, Integriteti i Komunave të Kosovës (Kosovo Municipal Integrity activity -KMI)
Letra e zotimit përmban këtë tekst;
Unë, Kryetari i Komunës së Podujevës, përmes kësaj letre e shpreh interesimin dhe zotimin e Komunës së Podujevës për të qenë Komunë në fokus e aktivitetit të USAID-it Integriteti i Komunave të Kosovës (KMI). E kuptojmë qëllimin dhe objektivat e aktivitetit, KMI për të mbështetur përpjekjet kundër korrupsionit në fushën e prokurimit publik në Kosovë, duke përmirësuar menaxhimin e financave publike, me fokus në prokurimin komunal dhe duke përforcuar mekanizmat e përgjegjshmërisë si brenda qeverisë, ashtu edhe jashtë qeverisë nëpërmjet shoqërisë civile, sektorit privat dhe mediave.
07.11.2024, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim







