Të zhgënjyer në gjithçka. Edhe nga Prishtina, edhe nga Beogradi.
Kështu ndihen serbët në jug të lumit Ibër, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, pasi autoritetet e Kosovës mbyllën këtë javë një numër institucionesh serbe, përfshirë: organe të përkohshme komunale, zyra postare, qendra të punës sociale etj.
Këto institucione u ofronin serbëve në Kosovë shërbime të ndryshme administrative. Përmes tyre merrnin, po ashtu, një lloj ndihme nga shteti i Serbisë.
Se çfarë do të ndodhë tash, askush nuk e di. E vetmja gjë që u tha, ishte se punonjësit e këtyre institucioneve, nuk do të mbeten pa paga nga Serbia.
E gjithë kjo është “e trishtueshme dhe për keqardhje”, thotë Nada nga Graçanica, afër Prishtinës.
Ajo shprehet e zhgënjyer që Beogradi zyrtar, vazhdimisht, thotë se punëtorët nuk do të mbeten pa paga, ndërsa ofrimi i shërbimeve për qytetarët mbetet në plan të dytë.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për pagat. Ata do t’i marrin pagat e tyre, por nuk është kjo çështja. Për mua është shumë e vështirë”, thotë Nada për Radion Evropa e Lirë dhe shton se as nga Beogradi “nuk pret absolutisht asgjë”.
Ngjashëm shprehet edhe Ratko Trajkoviq, po ashtu nga Graçanica.
“Ata thanë se nuk do t’i lënë njerëzit pa paga. Kjo nuk vlen gjë. Ky është një mjedis serb, ne duhet t’i kemi tonat [institucionet serbe]”, thotë ai.
Zyrtarë të lartë nga Serbia dhe Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – thanë se do të vazhdojnë konsultimet e ndërsjella për hapat e mëtejshëm, dhe theksuan se Qeveria e Kosovës mund t’i mbyllë objektet, por jo institucionet që veprojnë brenda sistemit serb.
“Beogradi nuk dëshiron të bëjë asgjë. Duket sikur gjithçka është e dakorduar. Është e turpshme kjo që po ndodh”, shton Trajkoviq.
Sipas tij, zgjidhje e vetme tani do të ishte formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe, përmes tij, qytetarëve t’u ofrohen shërbimet e institucioneve të mbyllura.
Prishtina zyrtare nisi mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë në fillim të vitit 2024, duke thënë se ato nuk kishin leje për të vepruar dhe se funksionimi i tyre ishte i paligjshëm.
Kështu, disa nga institucionet e mbyllura, kryesisht organet e përkohshme komunale, u zhvendosën në zyra alternative pranë pikave kufitare: Bërnjak, Jarinjë dhe Merdare.
Ndërkaq, punëtorët që punonin në Postën e Serbisë në veri, pas mbylljes së degëve të saj, u zhvendosën në Graçanicë për të punuar.






