I ngarkuari i ri i BE-së për dialogun Peter Sorensen, dy ditët e shkuara i kaloi në Paris dhe Berlin ku zhvilloi biseda të rëndësishme për mënyrën se si të avancojë procesi i dialogut Kosovë-Serbi.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Kaja Kallas, tha në Bruksel se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me të dërguarin e ri për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje. Këtë deklaratë Kallas e bëri në një bisedë të përbashkët me grupin “Redaksia Evropiane”, ku bëjnë pjesë rreth 20 agjenci evropiane të lajmeve. “Janë dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kallas.
“Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë dhe unë vërtet dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë dhe ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë në normalizimin”, tha Kaja Kallas.







