Është hapur të martën tenderi i hapur për rinovimin e Stadiumit ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë.
Vlera e parashikuar e kontratës është 1,890,000.00 euro.
Shpalljen e ka bërë Komuna e Podujevës pas miratimit të një vendimi në një mbledhje të Qeverisë në detyrë të Kosovës muajin e kaluar sipas të cilit Ministria e Financave zotohet për financimin e projektit.
Sipas Dosjes së Tenderit, stadiumit, i cili ishte rinovuar disa vite më parë, tani do t’i shtohen edhe një tribunë e re, mbulesat në të gjitha tribunat dhe ndriçimi.
Stadiumi parashihet se pas rinovimit do t’i plotësojë standardet e Kategorisë së Tretë të UEFA-s, që nënkupton mundësinë e zhvillimit të disa ndeshjeve ndërkombëtare.
Afati për dorëzimin e tenderëve është data 13 tetor i këtij viti, ndërsa punimet me shumë gjasa do të mund të nisin nga viti i ardhshëm pas zhvillimit të procedurave të parapara të prokurimit dhe përzgjedhjes së fituesit.