Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila krahasoi PDK-në me Listën Serbe. Ajo e quajti këtë krahasim “të ulët, të rrezikshëm dhe thellësisht fyese për shtetin e Kosovës.”
“Ta krahasosh PDK-në me ata që mohojnë Republikën është turp dhe mashtrim politik. Kjo gjuhë e urrejtjes nuk është politikë, është dëshpërim. Ata që s’kanë rezultate, kërkojnë armiq për t’i fshehur dështimet e veta,” tha Musliu.
Ajo theksoi se PDK mbetet “shtylla e shtetit të Kosovës” dhe kujtoi rolin e saj historik në ndërtimin e vendit: “PDK është dhe do të mbetet shtylla e shtetit të Kosovës. Populli e di mirë kush ka dhënë për këtë vend. Vetëvendosje dje mori atë që e mbolli.”
Musliu kërkoi kthim në politikë të bazuar në ide e rezultate: “Tani është koha për ide, jo për shpifje. Për punë, jo për propagandë. Për Kosovën, jo për pushtet.”







