Gjashtë shtetas të Kosovës kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku, i cili ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në rrugën magjistrale Shkup – Pikëkalimi Kufitar Bllacë e Poshtme, në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, në aksident janë përfshirë dy automjete me targa të Kosovës: një veturë “Kia”, që drejtohej nga K.C. (33), dhe një “Volkswagen Golf”, me drejtues S.J. (61).
“Si pasojë e përplasjes, lëndime të rënda trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjeret e ‘Volkswagen Golf’-it, S.J. (54) dhe E.J. (20). Ndërsa lëndime trupore kanë marrë edhe dy pasagjerët e tjerë të kësaj veture, B.H. (23) dhe B.I. (35)”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Të lënduarit janë transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe në Qendrën e Urgjencës në kompleksin klinik “Nënë Tereza” në Shkup.
Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se, me urdhër të prokurorit publik, drejtuesi i veturës “Kia”, K.C., do të privohet nga liria pasi të përfundojë trajtimin mjekësor.
Ndërkohë, ekipi hetimor i Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit janë në vazhdim.







