Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi bashkë me kryetarin e Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Kosovës, Skender Krasniqi, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me qëllim avancimin e zhvillimit ekonomik, krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe rritjen e punësimit.
Para se të nënshkruhej memorandumi, kryetari Bulliqi dhe përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës zhvilluan një takim me përfaqësues të bizneseve në Podujevë.
Gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat, të arriturat dhe mundësitë e të bërit biznes në Komunën e Podujevës.
Kryetari Bulliqi përmendi projektet e përvitshme të Komunës për të ndihmuar startup-et dhe bizneset ekzistuese me mjete pune, subvencionet në bujqësi dhe po ashtu dhënien e pronave komunale në shfrytëzim. Kryetari Bulliqi foli edhe për krijimin e hapësirave të reja siç është Parku industrial që ka filluar të ndërtohet në Livadicë dhe Parkun bujqësor në Sfeçël.
Ndërkohë, kryetari i DhTIK-së, Skënder Krasniqi tha se qëllimi i këtyre takimeve është koordinimi me komunat, në mënyrë që bizneset që përballen me sfida në nivel lokal të kenë mundësi t’i adresojnë ato dhe të marrin zgjidhje sa më të shpejta.
Gjatë takimi, përfaqësuesit e bizneseve paraqiten sfidat me të cilat përballen gjatë punës së tyre, për të cilat morën përgjigje nga kryetari i Komunës dhe ai i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Kryetari Bulliqi i falënderoi të gjitha bizneset për bashkëpunimin dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të Podujevës.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe drejtori për Arsim, Avni Fetahu dhe drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Vigan Salihu.







