Është e dhimbshme dhe e papranueshme kur pikërisht gazetarë, të cilët vetë kanë përjetuar sulme për shkak të fjalës së lirë, i trajtojnë si çështje të tejkaluara vrasjet e gazetarëve dhe veprimtarëve të LDK-së, Enver Malokut e Xhemail Mustafës.
Enver Maloku e Xhemail Mustafa kurrë s’do të donin të shndërroheshin në veprimtarë politik e ta hiqnin petkun e gazetarit.
Por, për ta, atdheu ishte mbi gazetarinë dhe mbi politikën.
Prandaj, edhe u vranë.
Të thuash se jemi në vitin 2027 dhe këto vrasje nuk janë më temë, është jo vetëm mungesë e ndjeshmërisë njerëzore, por edhe një fyerje ndaj viktimave, familjeve të tyre, dhe vetë lirisë së fjalës.
Viktimat nuk janë instrument politik dhe vrasjet e pazbardhura nuk janë temë për tallje, banalizim apo përbuzje.
Si është e mundur që gazetarë, të cilët e dinë çfarë do të thotë të sulmohesh për fjalën e lirë, të mos e ndiejnë as detyrimin moral të kërkojnë zbardhjen e vrasjeve të dy kolegëve të tyre, pikërisht në përvjetorin e vrasjes së njeriut të lapsit e letrës, Xhemail Mustafa?
Vrasja e një gazetari nuk skadon me kalimin e viteve. As e drejta për drejtësi nuk ka afat. Xhemail Mustafa dhe Enver Maloku nuk janë temë e së kaluarës.
Ne nuk do të heshtim për t’ua bërë më të rehatshme heshtjen të tjerëve.
Vrasjet nuk harrohen duke mos folur për to. Dhe asnjë vit që kalon nuk e shndërron një krim të pazbardhur – në histori të përfunduar.
Turp nuk është të flasësh për viktimat. Turp është të kesh humbur ndjeshmërinë për ta.
Enver Maloku, Xhemail Mustafa e të tjerët, janë plagë të hapura të këtij vendi dhe një turp i pazgjidhur i drejtësisë sonë dhe padrejtësia ndaj tyre është fatkeqësisht turpi i shtetit tonë.







