Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas vendimit të sotëm të partisë për të mandatuar Glauk Konjufcën për pozitën e kryeministrit.
Përmes një postimi në Facebook, Bajqinovci u shpreh se kompromisin e bëri sërish LVV-ja, shkruan IndeksOnline.
Ai tha se tani mund të kuptohet nëse opozita ka vepruar në interes të shtetit apo pushtetit.
“LVV e bëri kompromisin e saj, përsëri. Për ta konstituuar kuvendin, LVV e ndryshoi propozimin e saj, edhe pse ajo ishte deputetja më të votuar të legjislacionit. Tani, për të shmangur rrezikun që vendi të mbetet pa buxhet, në vend të politikanit më të votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare, Albin Kurtin, po e propozojmë Glauk Konjufcën për kryeministër. Tash do ta kuptojmë se a e ka opozita për shtet apo për pushtet!” u shpreh ai.
Pas vendimit të sotëm, Konjufca u shpreh se mbetet në duart e presidentes ndërmarrja e hapave të metutjeshëm.
“Unë pranova, dhe e tëra që mbetet është të shohim veprimin e presidentes”, tha Konjufca, duke theksuar se nëse procesi nuk zgjidhet me konsensus institucional, Kosova mund të përballet me pesë palë zgjedhje.









