Policia e Kosovës ka konfirmuar se tashmë janë kryer bastisje në shtëpinë e Dibran Hoxhajt, i cili po dyshohet për vrasjen e 32 vjeçarit nga Kukësi, pas një konflikti që nisi në lokalin e tij në Prizren.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë për Gazetën Online Reporrteri.net se shtëpia dhe objektet e të njëjtit janë bastisur dhe në vendngjarje janë gjetur tri gëzhoja plumbash dhe lokali i demoluar.
Bytyqi tha se Hoxhaj, tashmë ndodhet në polici duke u intervistuar lidhur me rastin.
Ndërkohë, sipas mediave shqiptare konflikti dyshohet se nisi për motive të dobëta në një lokal, ku tre të rinjtë nga Kukësi janë konfliktuar me Hoxhajn me grushte dhe sende te forta. Pasi janë konfliktuar, ata janë nisur drejt Kukësit me një mjet që drejtohej nga A.B.
Policia dyshon se drejt tyre ka qëlluar pronari i lokalit të natës teksa ata po largoheshin me automjet në drejtim të Kukësit.
Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit.
Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
Sipas informacioneve të para 31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve.
Hoxhaj i njohur si Kobra është person që është përballur disa herë me drejtësinë.
Historia e tij nis qysh në vitin 2004 kur kishte marrë pjesë në “trazirat e Marsit”. Nuk ishte dënuar. Më pas, si biznesmen kishte shkelur ligjin mbi 150 herë. Ishte arrestuar e liruar disa herë. Së fundmi qëndroi 20 muaj në burg./Reporteri.net






