Për PDK-në, Presidentja Vjosa Osmani, vazhdon të mbetët vegël dhe notere e Qeverisë Kurti dhe larg e të qenit person dhe figurë unifikuese.
Për partinë opozitare PDK-në, Osmani poashtu është edhe recidiviste e shkelëse e Kushtetutës.
Kështu thotë deputeti nga radhët e kësaj partie, Hisen Berisha në një prononcim për FrontOnline.
‘’Presidentja Osmani tani kur e ka kaluar më shumë se gjysmën e mandatit, karakterizohet si vegël e Qeverisë dhe kryeministrit, recidiviste në shkeljen e Kushtetutës dhe larg të qenit personi dhe institucioni kushtetues unifikues. Presidentja thjeshtë është vënë në rolin e noteres së kryeministrit Kurti, për validimin e dëmeve qe po ia bën vendit. Është identifikuar si recidiviste e shkeljes së Kushtetutës prej ndërhyrjeve kirurgjike nën anestezion, pa i bartur përkohësisht përgjegjësitë deri me rastin e mos garantimit të funksionimit të institucioneve të pa varura, siç është mosemërimi i Kryeprokurorit”.
Berisha më tej shton se Presidentja aktuale nuk i plotëson kushtet për të qenë në këtë pozitë.
‘’Implikimi i Presidentes, në çështjet e dialogut përveç interesimit kushtetues si përfaqësuese e shtetit ndërkombëtarisht dhe detyrimit për shtyrje të proceseve politike shtetërore, përbën shkelje të Kushtetutës e cila e autorizon ekskluzivisht Kryeministrin e qeverinë në zhvillimin e dialogut e negociatave sipas platformës së miratuar në Kuvend. Prandaj kjo Presidente nuk i plotëson kushtet minimale me qenë Presidente’’, tha ai.