Biblioteka e qytetit në Podujevë është pasuruar sot me rreth 270 tituj të rinj dhe 4,388 ekzemplarë librash, të financuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, me qëllim të pasurimit të fondit të bibliotekës dhe ofrimit të më shumë mundësive për lexuesit.
Librat e rinj përfshijnë botime nga fusha të ndryshme, ndër to libra shkencorë, romane, libra për fëmijë dhe literaturë tjetër, duke e bërë fondin e bibliotekës më të larmishëm dhe më të pasur për lexues të grupmoshave dhe interesimeve të ndryshme.
Në pranimin e librave morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi.
Nënkryetari Restelica tha se pasurimi i vazhdueshëm i bibliotekës me tituj të rinj është i rëndësishëm për krijimin e kushteve më të mira për lexuesit, veçanërisht për të rinjtë dhe fëmijët. Ai theksoi se Komuna do të vazhdojë të mbështesë aktivitete dhe investime që nxisin leximin, dijen dhe zhvillimin kulturor.







