Gërmimet e kësaj jave në veri të Kosovës, ku dyshohet për një varr masiv, i kanë shtuar thirrjet që Serbia t’i hapë arkivat e veta shtetërore dhe ushtarake lidhur me luftën e viteve 1998-’99.
Për familjarët e rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur nga ajo luftë, qasja e plotë në këto të dhëna mund të jetë një nga burimet më të rëndësishme për ta kuptuar fatin e të afërmve të tyre.
Megjithëse çështja e të zhdukurve me dhunë shihet kryesisht si çështje humanitare, Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.
Ekspertë të dokumentimit të krimeve të luftës dhe të të zhdukurve thonë për Radion Evropa e Lirë (REL) se qasja e plotë në arkiva do të mund të ndihmonte në zbardhjen e lokacioneve të varreve, zinxhirit të përgjegjësisë dhe fatit të njerëzve që ende nuk janë gjetur.
Cilat institucione serbe mbajnë të dhënat kryesore?
Institucionet kryesore që besohet se mbajnë të dhënat më të rëndësishme janë arkivat shtetërore dhe institucionet kyç të ushtrisë së Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, sipas kryetares së Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
“Arkivat ushtarake dhe strukturat policore ruajnë raporte luftarake, të dhëna për veprimet e njësive dhe regjistra të transferimeve, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e varrezave masive dytësore ose rasteve të personave të zhdukur në zonat e luftimeve”, thotë Biserko për REL-in.
Ndërkaq, arkivat e shërbimeve të sigurisë shtetërore përmbajnë raporte të inteligjencës nga operacionet në Kosovë, të cilat përshkruajnë ndalimet dhe bashkërendimin mes Ministrisë së Brendshme dhe ushtrisë, shpjegon ajo.
Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për REL-in se derisa Ministria e Brendshme dhe ushtria mbajnë të dhënat kryesore, do ishte e dobishme që të hapen edhe arkivat e institucioneve të tjera.
Për shembull, thotë ai, ato të atyre që ishin përgjegjëse për bartjen dhe varrosjen e kufomave, “siç janë kompanitë e shërbimeve komunale dhe organizatave të ngjashme”.
Sa do të ndihmonte hapja e arkivave?
Qasja e plotë në arkivat shtetërore dhe ushtarake serbe nuk do të nënkuptonte patjetër zbardhjen e fatit të të gjithë njerëzve ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, thonë ekspertët.
“Shumë ekzekutime në terren, të padokumentuara, nuk janë shoqëruar me dokumentacion zyrtar”, pohon Biserko.
Ajo nënvizon se, gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë, strukturat shtetërore serbe u përfshinë në largimin sistematik të trupave të viktimave shqiptare të Kosovës, nga Kosova drejt varrezave masive në Serbi, “në një përpjekje të dukshme për të fshehur provat e krimeve”.
“Kjo dëshmon se ka ekzistuar një përpjekje e organizuar për të mbuluar gjurmët e këtyre krimeve. Nëse ekziston dokumentacion shtesë që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, kjo mund të përcaktohet vetëm përmes qasjes së plotë dhe të pakufizuar në arkivat përkatëse”, sipas saj.
Blakaj beson se hapja e të gjitha arkivave dhe dosjeve mund ta zvogëlojë dukshëm numrin e të zhdukurve, duke thënë se “një përqindje e madhe e personave të zhdukur do të identifikoheshin”.
Pse Serbia nuk lejon qasje të plotë në arkivat e veta?
Ka disa arsye pse Serbia nuk lejon qasje të plotë në arkivat e saj, por kryesorja është se hapja e tyre “do të nënkuptonte drejtpërdrejt përgjegjësinë e ushtrisë dhe të shërbimeve sekrete, të cilat kanë vepruar në Kosovë para konfliktit, në fakt, qysh nga vitet ’90”, thekson Biserko.
As 27 vjet pas luftës së saj që shkaktoi 12.230 viktima, qindra mijëra të dëbuar dhe rrënim gjithandej në Kosovë, shteti serb nuk e pranon përgjegjësinë dhe vazhdon të ofrojë pak në zgjidhjen e çështjeve të luftës, përfshirë të të zhdukurve me dhunë.
Kosova kërkon tani në veçanti hapjen e arkivit të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i cili më 2014 u shpall sekret për një periudhë 30-vjeçare, me vendim të Ministrisë së Brendshme serbe.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd kishte kërkuar po atë vit qasje në arkivin e kësaj brigade, dhe më 2015 e kishte paditur ministrin serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, për atë vendim që e cilësoi të paligjshëm.
Blakaj thotë se dokumentet lidhen me veprimtarinë e Brigadës së 37-të në Kosovë gjatë vitit 1999, përfshirë vrasjen e civilëve shqiptarë dhe zhvendosjen e fshehjen e trupave të tyre në varrezën masive në Rudnicë të Serbisë.
Në atë kohë, brigada komandohej nga Lubisha Dikoviq, më vonë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.
Vite më parë, Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut të Brukselit, duke u zotuar për qasje të plotë në informacione të besueshme, përfshirë ato të klasifikuara, për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.
Në fillim të 2026-tës, dy shtetet mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, i cili nuk dha fryt.
Pala serbe ia ka dorëzuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë një numër të konsiderueshëm dokumentesh mbi ngjarjet e luftës në Kosovë, sipas Blakajt.
Por, kjo nuk ka mjaftuar për zbardhjen e fatit të 1.577 njerëzve që janë të zhdukur nga ajo luftë.







