Një rast shqetësues i shpërndarjes së dyshuar të narkotikëve është zbuluar në Parkun e Qytetit në Podujevë, ku Policia ka kapur në flagrancë një të mitur teksa dyshohet se po i shiste marihuanë një fëmije vetëm 13-vjeçar, mëson Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 18 nëntor, rreth orës 11:00, pasi njësitë policore kishin pranuar informacione për aktivitet të dyshuar me narkotikë në këtë zonë.
Sipas burimeve të Sinjalit, zyrtarët policorë kanë arritur ta lokalizojnë të dyshuarin dhe kanë ndërhyrë në momentin kur ai po i shiste një qese me substancë të dyshuar marihuanë fëmijës 13-vjeçar.
I dyshuari është një i mitur, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Pas arrestimit, ai është intervistuar nga hetuesit dhe, sipas informacioneve policore, ka pranuar përfshirjen në veprimin për të cilin dyshohet.
Për rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ndërsa janë ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit nga Departamenti për të Mitur, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Me vendim të autoriteteve kompetente, i mituri është ndaluar për procedura të mëtejshme.
Rasti ka ngritur shqetësime për përfshirjen e fëmijëve në veprimtari të dyshuara me narkotikë, veçanërisht për faktin se blerësi ishte vetëm 13 vjeç./Shkruan gazeta Sinjali








