Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës së Kosovës.
Hamza ka thënë se PDK-ja nuk synon të pengojë drejtësinë, por që, sipas tij, të sigurohet drejtësi dhe që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të trajtohet në mënyrë të drejtë.
“Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kaluar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Po ripërsëris, për sotin: ne nuk dëshirojmë me pengu drejtësinë. Ne dëshirojmë me vendos drejtësi. Ne dëshirojmë që luftës së popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me i garantuar drejtësi. Me pas mbikëqyrje, me pas transparencë, me pas llogaridhënie”, tha Hamza.
Ai ka theksuar se, sipas tij, me miratimin e këtij ligji synohet që lufta e UÇK-së të mos gjykohet dhe që historia të mos rishkruhet.
“Dhe jam i bindur që me këtë ligj është siguruar që lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të gjykohet. Historia nuk mund të rishkruhet. Ne e njohim të drejtën e të gjitha viktimave për drejtësi. As nuk kemi çka me fshehur. Çdo krim që ka ndodhur, le të luftohet deri në fund”, u shpreh ai.
Hamza ka theksuar se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ajo e zgjedhjes së presidentes, sipas tij, nuk kanë qenë të ndërlidhura.
“Dhe du me theksu se këto çështje nuk kanë qenë të ndërlidhura. Për shkak se ligji është një çështje e veçantë që unë jam i bindur, po e ritheksoj, i kalon përmasat e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe pse dihet që propozuese, iniciuese e këtij ligji ka qenë Partia Demokratike e Kosovës”, deklaroi Hamza.







