Jeffrey Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, i cili mori pjesë në shënimin e Ditës së Presidentit amerikan, në Sheshin “Bill Clinton”, në Prishtinë, tha se është i nderuar që po merr pjesë në këtë ngjarje ku e pranishme ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Hovenier kujtoi fjalët e ish-presidentit Bill Clinton, përmes të cilave shprehet arsyeja e angazhimit të tij për popullin e Kosovës gjatë luftës së fundit dhe falënderimin e tij për popullin kosovar për respektin e treguar ndaj tij.
“Në vitin 2019 kur presidenti Clinton vizitoi Kosovën, tha – po citoj – “Unë gjithmonë do të jem krenar me faktin se ndodhi të jem president i SHBA-së kur ju patët nevojë për dikë të ngrihej në këmbë për ju”, u shpreh ndër tjera Hovenieri.
“S’ka më largime prej shtëpive të tyre, s’ka më vrasje të popullatës së pafajshme. Duhet të jetë një rrugë tjetër”, ishte shprehur Clintoni, fjalë të cilat i citoi sot Hovenieri. Hovenier, mes tjerash, tha se nga të gjithë presidentët amerikanë, qoftë ata para, qoftë ata pas tij, Clintoni ishte lider i jashtëzakonshëm, që ka marrë vendime të guximshme./paparaci







