Pas avokatit kryesor, Gregory Kehoe. Pas avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson. Ekipi i Hashim Thaçit, ka ngritur alarmin se mund të mbetet edhe pa avokatin e njohur kroat, Luka Misetiq. Krejt kjo për shkak të vështirësive financiare me të cilat po përballet mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës.
Të gjitha këto detaje janë bërë të ditura në një letër që ekipi i Thaçit ia ka dërguar ditën e sotme kryeministrit Kurti, ministres Haxhiu dhe kryekuvendarit Konjufca.
“Vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike, ekipin mbrojtës të Thaçit e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij sepse në mungesë të mjeteve financiare jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë, por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme, respektivisht nga fillimi i fazës së gjykimit pas pushimeve verore, përkatësisht nga fundi i këtij muaji”, thuhet në krye të letrës.
“Në këtë mënyrë, kjo do të kishte për pasojë jo vetëm penalizimin e ekipit mbrojtës të z. Thaçi, por do ta pezullonte apo shtyente vetë procesin gjyqësor edhe për së paku gjashtë muaj shtesë, deri në zëvendësimin e tij me një avokat tjetër, të cilit do t’i duhej kohë e konsiderueshme për tu njohur me rrethanat e rastit dhe procedurën gjyqësore katërvjeçare që është duke u zhvilluar”, thuhet në letër.

Prandaj, si Fondacion të gjendur në rrethana të pamundësisë për t’i ofruar mbështetje financiare për nevojat financiare të ekipit mbrojtës të z. Thaçi, e vlerësojmë urgjente dhe të domosdoshme një mbështetje financiare shtesë, në mënyrë që të sigurohet vijimi i mbrojtjes efektive për ish Presidentin Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij. Nga ana tjetër, Fondacioni, përkundër se është themeluar pikërisht për të ofruar një burim alternativ të mbështetjes financiare me qëllim të lehtësimit të barrës financiare të buxhetit publik përkitazi me këtë proces, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshëm dhe të pa objekt këtë kërkesë”, thuhet në kërkesën e Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit””, theksohet më tutje.
Në letër thuhet se këto mjete janë për mbrojtjen e luftës së UÇK-së.
“Duke marrë për bazë edhe natyrën e akuzave me të cilat përballen ish-krerët e UÇK-së, përfshirë z. Thaçi, pa paragjykuar procesin gjyqësor, i cili është duke u zhvilluar aktualisht, përtej çdo dyshimi, sipas Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, mund të konstatohet lehtësisht se mbështetja financiare e mbrojtjes juridike të tyre nuk është thjeshtë dhe vetëm e karakterit personal, por mbi të gjitha, është një betejë juridike në të cilën është duke u mbrojtur legjitimiteti i luftës heroike e çlirimtare të UÇK-së, si dhe integriteti i kauzës së drejtë të kësaj lufte, si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë së popullit të Kosovës”, thuhet në letër.

Me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes, është bërë ndryshimi i rregullores për kompensimin e avokatëve. Aty, Nacionale kishte raportuar se është bërë një hile speciale.
Ministria e Drejtësisë ka hartuar disa ndryshime në Udhëzimin Administrativ për përkrahjen financiare të personave që akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Megjithëse në pamje të parë mund të duken ndryshime të vogla, në formën e pagesës ekipet e krerëve të UÇK-së janë ankuar se mund t’u shkaktojë probleme.
Dihet se në udhëzimin që është aktualisht në fuqi, avokatët paguhen nga shteti i Kosovës me një pjesë të fondeve, varësisht sa është rasti kompleks. Nëse merret shembull rasti i krerëve të UÇK-së, atëherë është niveli 4 i kompleksitetit dhe pagesat në fazën e gjykimit janë 110 mijë euro në muaj.
Në ndryshimin që është bërë së fundmi, te shuma e pagesës është shtuar fjala ‘deri në’. Pra, nuk është 110 mijë euro sa ka qenë, por ‘deri në 110 mijë euro’.
Me udhëzimin që ende është në fuqi, pra pa ndryshime, ekziston një nen që ua mundëson ekipeve mbrojtëse të kërkojnë kompensime më të larta në raste specifike.
“Në raste të veçanta, kur për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit, shqyrtimin e saj. Propozimi përmban arsyetimin me shkrim. 3. Komisioni shqyrton rrethanat që kanë çuar në tejkalim të tarifave të përcaktuara me këtë Udhëzim Administrativ dhe varësisht nga arsyetimi, e aprovon apo refuzon të njëjtën”,thuhet në nenin 11 të Udhëzimit që është aktualisht në fuqi.
Megjithatë, me ndryshimet që ka bërë Ministria e Drejtësisë, ky nen është fshirë. Pra, ekipeve nuk iu lejohet që të kërkojnë shuma më të larta se ato që janë të parashikuara deri në 110 mijë euro në fazën e gjykimit.
Duke marrë parasysh edhe rastet e shumta që ndërlidhen me pengimin e procedurës së Gjykatë Speciale, MD-ja ka bërë një tjetër ndryshim. Ka shtuar disa detaje, duke specifikuar pagesat për personat që akuzohen për tentim-ndërhyrje në procese.
Me udhëzimin e ri, ekipet mbrojtëse të personave që akuzohen për ndërhyrje, paguhen deri në 5 mijë euro në muaj.
Vetëm pak ditë më parë, avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, bashkë me tërë ekipin e tij u larguan pasi nuk u vazhduan kontratat si pasojë e problemeve financiare.
Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Assocciates dhe anëtarë të kësaj kompanie, kanë marrë një vendim të tillë për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj tyre.
“Z.Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Associates Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe z.Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi.” – thuhet në një njoftim të Dhomave të Specializuara.
Po ashtu, sipas rregullores, nëse caktohet një grup tjetër mbrojtës, avokatët aktualë duhet të vazhdojnë bashkëpunimin “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.
Në anën tjetër, MD-ja ka bërë të ditur se që nga nisja e procesit në Hagë, ekipi i Thaçit ka marrë mbi 3 milionë euro nga buxheti i shtetit. Megjithatë, sipas fondit dhe familjeve të të akuzuarve, mjetet janë të pamjafuteshme për të pasur një mbrojtje efektive.







