Gazeta Sinjali ka siguruar identitetet e dy vëllezërve që sot u vranë me armë zjarri në fshatin Gullbovc të Malishevës. Viktimat janë:
- Driton Morina
- Naim Morina
Të dy u qëlluan për vdekje para derës së shtëpisë së tyre, në momentin kur familja është ende në ditë zie për vdekjen e babait, i cili ishte varrosur para pak ditësh.
Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, personi i dyshuar për vrasjen është Astrit Isufi, bashkëshorti i motres së viktimave. Ajo kishte ardhur në shtëpinë e vëllezërve për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tyre.
Si ndodhi ngjarja
Sot, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e Morinëve për ta marrë bashkëshorten. Pasi ishte larguar disa metra, është kthyer sërish dhe ka hapur zjarr ndaj Dritonit dhe Naimit, të cilët ndodheshin para oborrit. Të dy kanë ndërruar jetë në vend.
“Familja ende ishte duke pritur njerëz për ngushëllim. Ai u kthye dhe i vrau para syve tanë. Edhe babën e kishim varrosë para pak ditësh,” tha një i afërm i familjes për Sinjalin.
Masat
Policia dhe Prokuroria janë në vendngjarje.
I dyshuari është në arrati dhe po zhvillohen veprime të shpejta operative për kapjen e tij.
Hetimet janë në vazhdim.







