Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ish-presidentin e vendit, Dr. Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e vdekjes së tij, duke e cilësuar si lider të shquar politik, intelektual të angazhuar dhe studiues të spikatur të letërsisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës është e lidhur pashkëputshëm me emrin e Ibrahim Rugovës, duke nënvizuar rolin e tij të veçantë në historinë e shtetndërtimit të vendit.
“Dr. Ibrahim Rugova ka zënë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë”, ka shkruar Kurti, duke kujtuar figurën e Presidentit të Parë të Kosovës në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.







