Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas tërheqjes së Prof. Bekim Sejdiut nga gara për President të Kosovës duke e cilësuar këtë zhvillim si pasojë të “hendekut të madh dhe sistemit të lënduar politik” në vend.
Kusari-Lila ka thënë se refuzimi i bashkëpunimit politik, edhe kur në mes është funksionimi i shtetit, përbën mungesë të pjekurisë dhe konsistencës politike.
Sipas saj, marrëveshja për Sejdiun nuk ishte për një pozitë personale apo për përfitim partiak, por për një funksion shtetëror, stabilitet institucional dhe dinjitetin e zyrës së Presidentit.
Ajo ka vlerësuar bagazhin akademik dhe integritetin personal e profesional të Sejdiut duke thënë se tërheqja e tij, në një moment kur mundësitë për konsensus rreth kandidaturës së tij janë zvogëluar, tregon më shumë për dëmin që po i bëhet shtetit sesa për ndonjë fitore politike.
“Me këtë tërheqje kemi humbur të gjithë. Dhe nëse nuk gjendet një marrëveshje për Presidentin, vendi po rrezikon me shpejtësi të rikthehet sërish te zgjedhjet”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka theksuar se Kosova nuk ka nevojë për një fitore të një partie mbi tjetrën, por për “një fitore të shtetit mbi inatin politik”.
Në fund, Kusari-Lila e ka falënderuar Prof. Bekim Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit dhe i ka uruar suksese në rrugëtimin e tij profesional, akademik dhe personal. /Kosova.info/







