Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sapo ka bërë një deklarim publik në lidhje me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe raportimet se Kosova ka ngritur nivelin e gatishmërisë.
Sveçla ka mohuar raportimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendjen e gatishmërisë, një veprim të cilin e ka bërë dhe e ka konfirmuar Serbia.
“Nuk jemi të interesuar për luftë, por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit,” – ka thënë z. Sveçla në deklaratën e postuar në Facebook.
Ai ka shtuar se Policia po zbaton mandatin e saj dhe po kryen detyra të përditshme, por se nuk ka gatishmëri për luftë. “Kjo vlen edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës.” – ka thënë z. Sveçla.
Ministri ka pretenduar edhe që Serbia po kërkon të ketë edhe viktima në njerëz, për ta eskaluar më tej situatën.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it.” – është shprehur më tej ministri i Punëve të Brendshme.
Në anën tjetër, Serbia ka bërë veprime tensionuese gjatë dy ditëve të fundit duke rritur nivelin e gatishmërisë ushtarake. Parmbrëmë, në mënyrë urgjente komandanti i ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, kishte udhëtuar për në Rashkë duke deklaruar se kishte marrë detyra ushtarake nga komandanti suprem dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme u raportua edhe se Serbia kishte vendosur gjashtë obusë afër kufirit me Kosovën.
Sot ndërkohë është dita e 18 e barrikadave në veri të Kosovës, dhe tashmë dihet se janë shtuar edhe dy të tjera.
Gjatë ditës së djeshme, Sveçla ishte po ashtu në takimin e shumëpritur të kryeministrit Albin Kurti me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.
Sveçla ka deklaruar se institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë “që çështja të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm.” Sidoqoftë, vlen të theksohet që bashkëpartiakë të tij (VV) kanë qenë mjaft kritik ndaj KFOR-it që nuk kishte hequr barrikadat dhe madje edhe kishte bërë thirrje për dialog mes palëve.
Sveçla po dje besohet të ketë marrë pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku u fol pikërisht për këtë temë.







