Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Salih Mustafës, i cili u shpall fajtor për krime lufte nga Gjykata Speciale, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Musliu është shprehur e tmerruar nga vendimi i Gjykatës në Hagë, teksa ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që i dhanë kurajë kur vendosi të votojë kundër themelimit të Speciales.
Tutje ajo ka deklaruar se shpirti i saj është rënduar nga dhembja për ish komandantin e UÇK-së.
Ndryshe, Salih Mustafa i njohur si komandant Cali është dënuar me 26 vjet burg për krime lufte.
Kujtojmë se deputetët e parlamentit të Kosovës më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash kishin votuar ndryshimet kushtetuese, që mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.
Kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin tri partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.
Në mesin e deputetëve të PDK-së që votuan kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin Raif Qela, Flora Brovina, Ganimete Musliu, Nait Hasani dhe Fadil Demaku.
Postimi i plotë i Musliut:
E t’merruar nga vendimi I gjykates në Hagë!!!
Faleminderit Zot, që ma dhe durimin me e përballu stresin e presionit që m’u shkaktua kur po votohej Gjykata Speciale. Faleminderit që ma dhe guximin qe t’iu qëndroj fort bindjeve të mija të familjes, farefisit dhe shoqërisë sime.
Faleminderit të gjithë atyre që më mbështeten e më përkrahen në ato ditë torturuese që më besuan dhe më dhanë kurajo kur vendosa të votoj kundër kësaj gjykate që sot po e përdhosë gjakun e sakrificen e popullit tim.
Sot edhe pse ndërgjegjën e kam të pastërt, shpirti im është rënduar nga dhimbja për CALIN dhe për veprën sublime të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për KRYEVEPRËN E HISTORISË SONË KOMBËTARE.
Lavdi e përjetshme luftës së CALIT dhe UÇK-së!