NP “Termokos” mbrëmë ka organizuar prezantimin e “Studimit të fizibilitetit për mbulueshmërinë e Prishtinës me ngrohje”, që është mbajtur në ambientet e SHFMU “Model” para shumë kryeqytetasëve të interesuar për të parë rezultatet e këtij studimi.
Kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Fisnik Osmani, duke shprehur kënaqësinë e tij për realizimin e këtij studimi, foli edhe për kapacitetet aktuale energjetike, që posedon ndërmarrja, projektet e realizuara deri më tani, shtrirjen e rrjetit, rritjen e numrit të konsumatorëve, nënstacioneve etj.
Megjithëse, me dy projektet kapitale, që janë në proces realizimi, “Solar 4Kosovo” si dhe Projektin për dyfishimin e kapaciteteve do të ngriten dukshëm kapacitetet energjetike të ndërmarrjes për të ofruar ngrohje, ai tha se ato nuk do t’jenë të mjaftueshme për të mbuluar Prishtinën me ngrohje.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se me studimin e fizibilitetit për mbulueshmërinë e Prishtinës me ngrohje janë trajtuar 13.900 ndërtesa me mbi 3 milionë m/2 sipërfaqe të banueshme, të shpërndarë në 11 zona të mëdha urbane, me 14 lagje banimi.
“Ky projekt është një investim infrastrukturor, që ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, përmirësimin e cilësisë së ajrit”, tha në mes tjerash kryetari Rama.
Në emër të ekipit, që ka punuar për këtë studim detajet e tij, i ka paraqitur prof. Naser Sahiti. Ai ka sqaruar se me këtë studim janë trajtuar ndërtesat në lagjen “Arbëria”, “Kodra e trimave”, zona e Medreses, zona tek Xhamia e Llapit, zona tek gjimnazi “Ahmet Gashi”, “Taslixhe”, “Tokbashqe”, “Velani”, “Hajvali”, zona mbrapa “Gorenjes”, “Qershia” dhe “Qëndresa”. Sipas këtij studimi të ndarë në dy pjesë, për pjesën vreiore të kryeqytetit nevojiten 77 km tubacion i ri i ngrohjes dhe 6.268 pika për kyçje, ndërsa për pjesën jugore 76 km tubacion për 3.155 pika për kyçje.
Studimi ka shqyrtuar edhe mundësitë e teknologjisë, që do të përdorej për ofrimin e ngrohjes për këto dy zona, siç janë: impianetet e kombinuara, ato me kaldaja, energjia gjeotermale, ruajtjen e energjisë termike nëpërmes sistemeve akumuluese etj.
Ndërkaq, kostoja e investimit total për teknologjitë e shqyrtuara dhe rrjetë, nëpërmes dy opsioneve për pjesën veriore: impiant me kogjenerim (me gaz) dhe impiant me kogjenerim (biomasë), arrin shifrën e rreth 100 milionë eurove, ndërsa për pjesën jugore nëpërme rezervuarëve sezonal për deponim të nxehtësisë dhe pompave termike kostoja totale arrin në rreth 150 milionë euro.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve të interesuar, kryeshefi Osmani ka sqaruar se megjithë vlerën e lartë investive, që kërkon realizimi i mbulueshmërisë së Prishtinës me ngrohje, kanë filluar angazhimet për sigurimin e fondeve dhe mundësive për realizimin e kësaj kërkese të kahmotshme të prishtinasëve.