Kandidati i LDK-së për deputet, Ardian Olluri, ka publikuar një foto të rrallë të ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Prapa tij në foto ishte edhe babai i tij, profesori Xhevat Olluri.
“Në ditët më të errëta të Kosovës, kur shpresa dukej e largët, një grup njerëzish me vizion dhe guxim vendosën të ndërtonin një rrugë të re. LDK-ja u bë më shumë se një parti – ishte një lëvizje e shpresës, një udhërrëfyes i lirisë dhe një frymëzim për të ardhmen.
Në këtë moment historik, babai im, prof. Xhevat Olluri, qëndron pas presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Si pjesë e kësaj lëvizjeje, e cila kishte mishëruar vlerat e lirisë, tolerancës dhe humanizmit, duke dëshmuar se këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe demokratike.
Tani më shumë se kurrë të gjithë ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në vlerat e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Sepse këto nuk janë vetëm fjalë – janë themeli i ëndrrës sonë të përbashkët”, shkruan Ardian Olluri në Facebook.