Anëtari i Kryesisë së PDK-së, dega në Podujevë, Florim Statovci, ka reaguar publikisht duke akuzuar Kryetarin e degës së PDK-së, Isak Shabani, për moszbatimin e një vendimi të marrë me votim të fshehtë në mbledhjen e Kryesisë së degës më 05.01.2026.
Sipas Statovcit, në këtë mbledhje Kryesia e degës së PDK-së kishte vendosur që dy drejtoritë e ndara për PDK-në në kuadër të bashkëqeverisjes në Podujevë të drejtoheshin nga Behram Latifi dhe Florim Statovci. Vendimi, siç thekson ai, ishte marrë me votë të fshehtë dhe në mënyrë unanime procedurale.
Megjithatë, Statovci pretendon se Kryetari i degës, Isak Shabani, pas sigurimit të pozitës së Kryesuesit të Kuvendit Komunal më 29.12.2025, nuk e ka respektuar vullnetin e Kryesisë. Ai ka dërguar për emërim vetëm Behram Latifin në pozitën e Drejtorit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa emri i Florim Statovcit, i zgjedhur për Drejtor të Administratës, nuk është proceduar.
Sipas reagimit, në vend të Statovcit, Shabani ka propozuar një emër tjetër, të cilin ai e cilëson si zgjedhje të bazuar në interesa personale, duke anashkaluar vendimin zyrtar të Kryesisë së degës.
Statovci i ka bërë thirrje Kryesisë Qendrore të PDK-së që të merret seriozisht me, siç e quan ai, “të ashtuquajturin koalicion” ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së në Podujevë, si dhe me shkeljen e vazhdueshme të vendimeve të organeve të degës nga Kryetari Isak Shabani.
Ai ngre gjithashtu dilema mbi natyrën e koalicionit, duke pyetur nëse bëhet fjalë për një koalicion partiak apo për një listë qytetare. Sipas tij, nëse koalicioni është bërë në emër të PDK-së, atëherë kryetari i degës ka obligim t’i respektojë vendimet e Kryesisë. Statovci thekson se edhe vetë VV-ja në Podujevë deklaron se ka koalicion me “qytetarët”, pa e përmendur PDK-në.
Në reagimin e tij, Statovci i drejtohet edhe Kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke i bërë thirrje që ta thërrasë Kryetarin e degës së PDK-së në Podujevë për të raportuar para Kryesisë dhe Këshillit Drejtues lidhur me marrëveshjen e koalicionit me VV-në.
Ai thekson se anëtarët e PDK-së, sipas tij, “nuk kanë obligim të bëjnë ‘pagë’ për askënd”, duke shtuar se pozita e Kryesuesit të Kuvendit Komunal nuk ka qenë asnjëherë subjekt votimi brenda degës. Sipas tij, fillimisht Shabani është zgjedhur Kryesues, ndërsa më pas Kryesia ka vendosur që përmes votës së fshehtë të përzgjidhen drejtorët nga radhët e PDK-së.
Nga ky proces, sipas Statovcit, janë zgjedhur:
- Behram Latifi – Drejtor i Bujqësisë
- Florim Statovci – Drejtor i Administratës
Ai përfundon duke theksuar se ky vendim i Kryesisë së degës, përkundër qartësisë procedurale, nuk po zbatohet nga Kryetari i degës së PDK-së në Podujevë.
Statusi i plot:
Reagim
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, dega në Podujevë, Florim Statovci, reagon kundër Kryetarit të degës së PDK-së, lidhur me moszbatimin e vendimit të marrë me votim të fshehtë në mbledhjen e datës 05.01.2026.
Në këtë mbledhje, Kryesia e degës së PDK-së mori vendim që Behram Latifi dhe Florim Statovci të drejtojnë dy drejtoritë që i janë ndarë PDK-së nga Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, në kuadër të bashkëqeverisjes në Podujevë.
Megjithatë, Kryetari i degës së PDK-së, z. Isak Shabani, pasi ka siguruar për vete pozitën e Kryesuesit të Kuvendit Komunal me 29.12.2025, nuk e ka respektuar vullnetin e Kryesisë së degës.
Ai ka dërguar për emërim vetëm emrin e Behram Latifit për Drejtor të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa emrin tim nuk e ka dërguar për Drejtor të Administratës, edhe pse jam nominuar dhe zgjedhur nga Kryesia e degës me votë të fshehtë, njësoj si Behram Latifi.
Në vend të kësaj, Kryetari Shabani ka zgjedhur të dërgojë një person tjetër, sipas interesave të tij personale, duke anashkaluar vendimin zyrtar të Kryesisë së degës.
Andaj, i bëj thirrje Kryesisë Qendrore të PDK-së që të merret seriozisht me të ashtuquajturin “koalicion” ndërmjet VV-së dhe PDK-së në Podujevë, si dhe me shkeljen e vazhdueshme të vendimeve të Kryesisë së degës nga Kryetari Isak Shabani.
Duhet ta kemi të qartë:
a kemi koalicion si parti politike, apo si lista qytetare?
Nëse Kryetari Shabani ka bërë koalicion si listë qytetare, le të dërgojë kë të dojë. Por nëse koalicioni është bërë në emër të PDK-së, atëherë ai ka obligim t’i respektojë vendimet e Kryesisë së degës.
Madje, edhe vetë VV-ja në Podujevë deklaron se ka koalicion me “qytetarët”, pa e përmendur askund PDK-në.
I nderuari Kryetar i PDK-së, z. Bedri Hamza, ju ftoj që ta thërrisni Kryetarin e degës së PDK-së në Podujevë, në mënyrë që ai ta njoftojë Kryesinë dhe Këshillin Drejtues të degës për marrëveshjen e koalicionit me VV-në në Podujevë.
Anëtarët e PDK-së nuk kanë obligim të bëjnë “pagë” për askënd, përfshirë edhe z. Isak Shabani, vetëm pse mban pozitën e Kryesuesit.
Pozita e Kryesuesit nuk është hedhur asnjëherë në votim. Fillimisht ai është zgjedhur Kryesues, e më pas në Kryesi është vendosur që me votë të fshehtë të përzgjidhen emrat e drejtorëve nga radhët e PDK-së.
Nga kjo procedurë janë zgjedhur:
Behram Latifi – Drejtor i Bujqësisë
Florim Statovci – Drejtor i Administratës
Ky vendim i Kryesisë së degës, për fat të keq, nuk po zbatohet nga Kryetari i degës Isak Shabani.
Me respekte
Florim Statovci
Anëtar i Kryesisë së PDK-së në Podujevë







