Me një manifestim të organizuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit është shënuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit.
Në këtë manifestim morën pjesë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Avni Fetahu, drejtorë të shkollave, mësimdhënës dhe veteranë të arsimit.
Manifestimin e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe kryetari i qytetit të Velbertit, Dirk Lukrafka, së bashku me delegacionin e tij, të cilët ishin mysafirë nderi në këtë shënim të Ditës së Mësuesit.
Në këtë ditë përkujtimi dhe mirënjohjeje për mësimdhënësit, u vlerësua kontributi i tyre i çmuar në formimin dhe edukimin e gjeneratave të tëra, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që ata kanë në shoqëri dhe në zhvillimin e arsimit.
Me këtë rast u nderuan me mirënjohje mësimdhënësit që janë pensionuar nga viti i kaluar deri më sot, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre shumëvjeçar në shërbim të arsimit.
Po ashtu, u ndanë mirënjohje për mësimdhënësit që gjatë këtij viti akademik kanë treguar performancë të lartë në nivele të ndryshme të arsimit, duke dhënë kontribut të veçantë në ngritjen e cilësisë në procesin arsimor.
Në shenjë respekti dhe kujtimi, me mirënjohje post-mortum u nderuan edhe familjet e mësimdhënësve që kanë ndërruar jetë gjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar kontributin dhe gjurmën që ata kanë lënë në edukimin e shumë gjeneratave.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, theksoi rëndësinë e rolit të mësimdhënësve në ndërtimin e së ardhmes së shoqërisë.
“7 Marsi është një ditë e veçantë për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë mësimdhënësit që me përkushtim dhe punë të palodhshme kanë ndikuar në edukimin dhe formimin e brezave të tërë. Mësimdhënësit janë shtylla e arsimit dhe një ndër faktorët më të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë sonë”, u shpreh kryetari Bulliqi.







