Në mbledhjen e dy kuvendeve, kryetari i grupit parlamentar Partia Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla ka propozuar që takimi i radhës i deputetëve të Kosovës dhe Shqipërisë, të mbahet më 10 qershor 2023 në Prizren, në 145 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ndërsa gjatë fjalimit të tij, ai përmendi ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke thënë se duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës heroike.
“Sot komandantët e UÇK-së mbahen të arrestuar në të njëjtin burg sikur ata që urdhëruan masakrat në Kosovë, Srebrenicë e gjetkë, mbi bazën e disa akuzave të paqena, të një raporti e një rezolute turpi për ata që e shkruan e për ata që e votuan. Tek komandantët një grup prej nesh do të do shkojmë nesër në Hagë e të ua urojmë aty ditën e pavarësisë… Duke mos harruar se fitoren e arritëm me perëndimin në krah dhe duhet të mbyllet e të sanksionohet në aleancë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, kolegë deputetë, ndërsa vitin e ardhshëm festojmë 145 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të propozoja që takimi i radhës i dy kuvendeve tona të jetë në Prizren, më 10 qershor 2023”, tha ai.
Për këtë ka folur edhe shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, sipas së cilit historia e ndërtuar me sakrificë nuk mund të ndryshohet nga askush.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, e bashkëluftëtarë të tjerë janë heronj të gjallë të lirisë dhe pavarësisë sonë të cilët sot po mbahen larg nesh padrejtësisht. Por siç nuk kemi pasur kurr dyshim në lirinë tonë, nuk kemi dyshim se ata do të jenë prapa në mesin tonë dhe se e vërteta do të triumfojë mbi të vërtetën dhe e drejta mbi padrejtësinë. Historinë që e kemi bërë me gjak dhe sakrificë nuk mund të ndryshojë askush kurr dhe me asgjë. Jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj Shqipërisë që është me ne kur e drejta duket e pamundur dhe jemi shumë mirënjohës”, tha Tahiri.
Ndërsa ,kryetari i grupit parlamentar Partia Demokratike e Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, tha se e mbështesin të vërtetën heroike të shqiptarëve të Kosovës, derisa theksoi se janë në pritje të shqyrtimit të rezolutës të cilën e kanë propozuar për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
“Partia Demokratike do ta shoh Serbinë vetëm me sytë e Kosovës. Ne jemi për paqe midis popullit serb dhe atij shqiptar, por pa lëkundur mendojmë se të drejtën e shpalljes së kësaj paqeje e ka Kosova dhe populli i saj.
Për dialogun në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka folur edhe deputeti i parlamentit të Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili tha se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në procese të tilla të rëndësishëm për Kosovën.
Ai shtoi se Serbia e mbështetur nga Rusia, në mënyrë të vazhdueshme provokon në veri të Kosovës.
Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se mbledhje në mes të dy kuvendeve duhet të mbahen më shpesh.
“Sot duhet të kujtojmë edhe ata djem dhe vajza të cilët derisa dhanë frymën e fundit në frontin e lirisë kishin shikimin nga malet shqiptare, me flamurin kuq e zi në gjoks shumë gjak u derdh të hiqej ai kufi, shumë shpresa u ngritën për çlirimin e vendit, shumë ëndrra u lanë në gjysmë që jeta e kombit të mos zhvillohej ndarë. Është pra detyrë e jona që kjo mbledhje mos të jetë veçse e para, të tjera më domethënëse e dobiprurëse duhet të vijojnë”, tha ajo.
Gjithashtu, shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se Kosova dhe Shqipëria kanë rrugët e përbashkët evropiane.
Ai theksoi se domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve është kontribut për demokracinë, dhe është një akt patriotik për proceset tona integruese. Bashkë kështu si sot ne na duan shqiptarët, bashkë ne festën e madhe të shqiptarëve, bashkë në angazhimin për integrim sa më të shpejtë të dy shteteve tona në familjen e madhe evropiane”, tha Gashi.
Kjo është mbledhja e parë e dy kuvendeve dhe po zhvillohet në tiranë në prag të shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë