Më 5 prill ka nisur procesi i regjistrimit popullsisë në vendin tonë. Këtë herë, ky proces do të zhvillohet edhe në komunat veriore, ku ka shumicë serbe dhe do të ketë edhe formularë shtesë për dëmet e luftës.
Të gjithë janë të obliguar t’i përgjigjen pothuajse secilës pyetje, sepse, në të kundërtën, mund të gjobiten – individët me nga 30 deri në 2.000 euro, kurse bizneset deri në 20.000 euro.
Shteti dhe individët përfitojnë prej regjistrimit, në disa aspekte:
Përmes regjistrimit, shteti e ka parasysh shtrirjen e popullatës nëpër komuna dhe vendbanime.
Nga ndarjet buxhetore, më pas, reflektohen investimet kapitale dhe kapaciteti i një komune për t’i kryer punët e parapara.
Gjendja reale mbi lëvizjet brenda shtetit mund të jetë efektive për qytetarët edhe në krijimin e një ideje mbi mundësitë që kanë para vetes.
Hulumtuesit besojnë se është shumë e rëndësishme që të kuptohet më shumë për gjendjen e minoriteteve në Kosovë.
Sipas regjistrimit të fundit, më 2011, 91 për qind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, 3.4 për qind janë serbë, ndërsa 5.6 përqindëshi tjetër përbëhet nga boshnjakët, goranët, turqit, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – u ka bërë thirrje serbëve të mos marrin pjesë në regjistrimin e sivjetmë të popullsisë në Kosovë, sikurse më 2011.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë, në këtë vend jetojnë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb.
Për herë të parë, në kuadër të regjistrimit, është përfshirë edhe një formular për regjistrimin e dëmeve që u janë shkaktuar ekonomive familjare gjatë luftës.
Autoritetet, në të kaluarën, kanë thënë se vlera e dëmeve ekonomike që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës në luftën e viteve 1998-‘99 është rreth 22 miliardë euro, mirëpo të dhëna publike nuk ekzistojnë.
Kush do t’i përdorë të dhënat?
Përveç autoriteteve shtetërore, një pjesë të të dhënave do të mund t’i përdorin edhe hulumtuesit, mediat, akademia, e organizatat joqeveritare dhe ato ndërkombëtare, për përpilim të raporteve të ndryshme.
ASK-ja ka paralajmëruar që rezultatet preliminare të regjistrimit do t’i publikojë brenda tre muajve.
Të gjitha informacionet që japin qytetarët janë të fshehta dhe është shumë e rëndësishme që informacionet të jepen të sakta.
ASK-ja ka thënë se regjistrimin po e zhvillon në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, dhe se një ekip i Brukselit do ta vëzhgojë procesin, ndërsa në fund edhe do ta vlerësojë atë, raporton REL.