Trajneri i klubit të futbollit Llapi, Tahir Batatina është dënuar me 600 euro gjobë nga gjykata për kanosjen e gjyqtarit Genc Nuza.
Një aktgjykim i gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Donikë Shala-Abdyli e ka shpallur Batatinën fajtor për veprën penale të kanosjes.
Sipas aktgjykimit, të nxjerrë më 31 dhjetor të vitit 2024, Batatina është dënuar me gjobë prej 600 eurosh të cilën është i obliguar ta paguajë në afat prej 31 ditësh.
Rasti ka të bëjë me një incident në një ndeshje të Superligës së Kosovës në futboll në gusht të vitit 2024.
Batatina e kishte kërcënuar gjyqtarin Nuza pas ndeshjes Prishtina-Llapi, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 31 gusht.
“Do ta shofësh nga sot se a do të gjykosh në ndeshje futbolli, do të kesh punë me mua personalisht, vetëm në qoftë se vdesësh do të shpëtosh”, i ka thënë Batatina, Nuzës, në përfundimin e ndeshjes derisa gjyqtari iu ishte drejtuar dhomës së zhveshjeve në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Gjykata e ka cilësuar si fajtor personin që ka kryer veprën penale të kanosjes ndaj meje gjatë ushtrimit të detyrës sime zyrtare si gjyqtar futbolli”, tha Nuza, raporton Paparaci.
Nuza tha se gjithmonë do t’i drejtohet organeve të sigurisë për raste të tilla.
“Pavarësisht dënimeve që shqiptojnë organet e drejtësisë, ju siguroj se për çdo sulm, kërcënim, akuzë dhe shpifje ndaj meje dhe familjës time, gjithmonë do t’i drejtohem organeve të drejtësisë”, tha ai.






