Policia gjermane ka arrestuar një burrë rreth të 60-ave, i cili dyshohet se vrau dy zyrtarë të qarkut gjatë një kontrolli rutinë të armëve të zjarrit në Bavari.
Ngjarja ndodhi të enjten pasdite në qytetin Berngau, ku një burrë 54-vjeçar dhe një grua 45-vjeçare, të dy punonjës të distriktit Neumarkt, u qëlluan për vdekje gjatë inspektimit.
Pas të shtënave, i dyshuari u mbyll në një ndërtesë, ku qëndroi për disa orë, ndërsa policia rrethoi zonën dhe angazhoi njësitë speciale.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve të qëndronin në shtëpitë e tyre ose larg perimetrit të operacionit.
Sipas policisë, gjatë negociatave, i dyshuari refuzoi të dorëzohej dhe deklaroi se do të rezistonte. Gjatë ndërhyrjes, ai dyshohet se përdori eksplozivë, ndërsa policia hapi zjarr ndaj tij.
Burri u plagos lehtë në këmbë dhe mori trajtim mjekësor pas arrestimit.
Fillimisht, policia kishte njoftuar se një punonjës i distriktit kishte vdekur, ndërsa kolegia e tij ishte plagosur rëndë. Më vonë, autoritetet konfirmuan se edhe gruaja kishte ndërruar jetë.
Motivi i dyshuar për vrasjet ende nuk është përcaktuar.
#botë






